Përfundon në Durrës Kampionati Botëror i shkollave në shah. Plot 400 pjesëmarrës garuan në turneun e zhvilluar për herë të parë në vendin tonë.
Turneu ishte vërtet i madh.
Pak vjet pas projektit të shahut në shkollat shqiptare, në vendin tonë u organizua Kampionati Botëror i kësaj kategorie.
Plot 400 shahistë nxënës nga 41 vende të botës morën pjesë në aktivitetin e mbajtur në ambientet pranë plazhit të Durrësit, dhe pas 9 ditësh gjithçka përfundoi me sukses.
Ishte përvoja e parë e këtij niveli për Shqipërinë, dhe prova kaloi më së miri.
Rreth një e katërta e gjithë shahistëve nxënës, plot 88, ishin shqiptarë, nga qytete të ndryshëm të vendit.
Kategoritë e moshave nisnin që nga shkolla fillore, pra nën moshën 7 vjeç, e përfundon me shkollën e mesme, me moshën deri 17 vjeç, për djem dhe për vajza.
Pjesëmarrësit patën një falenderim nga Eduard Shalësi, presidenti aktual i Federatës Shqiptare të Shahut, njëkohësisht deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.
“Shpresoj që këto ditë të jeni kënaqur jo vetëm me turneun e shahut, por edhe me diellin, detin dhe rërën shqiptare këtu në Durrës”, – u shpreh Shalësi.
Aktiviteti u organizua nga Federata Shqiptare e Shahut, nën përkujdesjen e FIDE-s (Federata Botërore e Shahut), Qeverisë Shqiptare dhe veçanërisht të Ministrisë së Arsimit e Sporteve.
Ministrja Lindita Nikolla e vlerësoi turneun si një përvojë të rëdësishme.
Lindita Nikolli: “Shahu është sporti i mendjes dhe unë si ministre e arsimit dhe sportit jam shumë e lumtur që ky Botëror i shkollave u mbajt këtu në Shqipëri. Në vendin tonë, shahu në shkolla po rritet ditë pas dite. Jam e lumtur që kaq shumë njerëz nga e gjithë bota erdhën në Shqipëri, dhe unë shpresoj që ju do të ktheheni përsëri këtu”.
Disa fjalë edhe nga shahisti numër 1 i Shqipërisë, Mjeshtri i Madh Ndërkombëtar, Erald Dervishi.
Erald Dervishi: “Jam i lumtur që jemi të gjithë këtu së bashku. Pas 9 ditësh ne ia dolëm për të organizuar një turne shumë të rëndësishëm ndërkombëtar, një turne shumë të fortë. Këtu morën pjesë shahistë nga 41 shtete të botës. Jam i lumtur që komiteti organizator zgjidhi çdo problem në kohën e duhur, dhe çdo pjesëmarrës pati kushtet më të mira për të dhënë maksimumin”.
Nxënësit shqiptarë patën rezultate më të mira për vajza.
Për moshën deri 7 vjeç, Amelia Gashi doli e pesta, në moshën deri 13 vjeç Elisa Isufi doli e 8-ta dhe Klean Shuqja e 10-ta
Në tërësi, rezultatet më të mira i arritën sportistë dhe sportiste nga Kazakistani, Mongolia apo Bullgaria, ndonëse kjo e fundit është e përjashtuar nga Federata Botërore dhe sportistët e saj garuan nën flamurin e FIDE-s.
Nga djemtë shqiptarë, rezultatin më të mirë e arriti Zino Veleshnja në kategorinë e moshës U17, duke dalë në vendin e 8-të me 5 pikë./abcnews.al