Presidenti Meta vizitë në komunën e Strugës

schedule15:00 - 29 Prill, 2018

schedule 15:00 - 29 Prill, 2018

Roli i shqiptarëve në Maqedoni, por edhe momentet e rëndësishme që po kalojnë të dy vendet në proceset integruese ishin temë diskutimi mes Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe Kryetarit të  Komunës së Strugës Ramiz Merko. Kreu i Shtetit zhvilloi një vizitë në këtë Komunë.

Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Strugë.

Ai u prit nga Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, këshilltarët e komunës, përfaqësues të bashkësive fetare, përfaqësues të forcave të ndryshme politike dhe banorë të qytetit.

Kreu i Shtetit bashkëbisedoi me Kryetarin e Komunës dhe këshilltarët rreth rolit të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe për momentin e rëndësishëm që po kalojnë të dyja vendet në aspektin e integrimit evropian.

“Vijmë në një moment të mirë, Shqipëria dhe Maqedonia sapo kanë marrë një rekomandim pozitiv nga KE për çeljen e negociatave dhe duhet të forcojmë të gjitha përpjekjet në javët që vijnë për të marrë dhe një vendim pozitiv nga këshilli i vendeve anëtare dhe në qershor”.

Presidenti Ilir Meta u ndal edhe ne zhvillimet në Maqedoni dhe pozitat e shqiptarëve.

“Besojmë që në Maqedoni është bërë një progres i rëndësishëm sidomos gjatë viti të fundit dhe këtë besoj e tregon edhe pozita e shqiptarëve. Për herë të parë kemi një kryetar të parlamentit që është zgjedhur nga forcat politike shqiptare. Po kështu kemi një vendosmëri të një shumice për të filluar sa më shpejt zbatimin e ligjit për gjuhën, që do t’i japë një zgjidhje të munguar deri tani, e që nuk është një privilegj që i bëhet popullit shqiptar, por një detyrim, është një domosdoshmëri.

Përveç të tjerash, besoj që edhe zgjedhja e emrit është më pranë se asnjëherë tjetër me Greqinë, gjë që do të ndihmojë Maqedoninë të ketë një frymëmarrje tjetër në të gjitha proceset, jo vetëm të anëtarësimit në NATO, të çeljes së negociatave me BE-në, por edhe një zhvillimi më të qëndrueshëm ekonomik. Ky është një interes i madh edhe i Shqipërisë, sepse Maqedonia është një vend fqinj, por jo vetëm kaq. Edhe për arsye se shqiptarët këtu janë një faktor i rëndësishëm dhe fatmirësisht një faktor pozitiv për stabilitet, për integrimin evropian për anëtarësim në NATO dhe unë besoj që edhe në nivel vendor është shumë e rëndësishme të rrisim rolin e komunave në këto shkëmbime”.

Presidenti i Republikës zhvilloi edhe një vizitë të shkurtër në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, ku studiojnë dhe punojnë të rinj nga rajoni dhe nga Shqipëria. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!