Lyon dhe Manchester City janë dy skuadrat që siguruan kualifikimin në çerekfinalet e Champions League mbrëmjen e sotme. Francezët e Rudi Garcias u mposhtën 2-1 në Torino kundër Juventusit, por kaluan në raundin tjetër falë triumfit 1-0 në shtëpi.
Miqtë zhbllokuan ndeshjen në minutën e 12-të falë një penalltie. Memphis Depay dhuroi një “panenka” dhe kaloi ekipin e tij në avantazh. Dy minuta përpara fundit të 45 minutave të parë erdhi goli i barazimit.
Tjetër penallti, kësaj radhe për bardhezinjtë dhe Cristiano Ronaldo nuk gaboi. Ylli portugez shënoi sërish pas një ore lojë. Goditje fantastike me të majtën dhe kampionët e Italisë morën zemër, duke u hedhur në sulm për rrjetën e radhës.
Rekord për 35-vjeçarin, i cili bëhet futbollisti i parë në historinë e kompeticionit më të rëndësishëm për klube që arrin shifrën e dhjetë golave me tre skuadra të ndryshme: 15 gola me Manchester United, 105 gola me Real Madrid dhe 10 gola me Juventusin.
Gjithsesi, goli i tretë që do të sillte kualifikimin nuk erdhi, Lyon rezistoi fort në mbrojtje duke siguruar një kualifikim fantastik në tetë skuadrat më të mira të Evropës dhe tani do të përballet me Manchester City në çerekfinale.
I njëjti rezultat u regjistrua edhe në “Etihad Stadium” mes Manchester City dhe Real Madrid. Djemtë e Pep Guardiolës mposhtën sërish 2-1 “Los Blancos” dhe marshojnë drejt finales së Champions League.
Vendasit përfituan nga dy gafa të pafalshme të Raphael Varane. Mbrojtësi francez dhuroi paraqitjen më të dobët në karrierë dhe dyshja Rahem Sterling-Gabriel Jesus nuk toleruan aspak. Karim Benzema barazoi rezultatin përkohësisht në minutën e 28-të.
Sulmuesi francez shënoi me kokë pas krosit të Rodrygo, duke rritur shpresat e kampionëve të Spanjës për një përmbysje, por diçka e tillë nuk ndodhi dhe përballë Lyon në çerekfinale do të luajnë “Cityzens”. /abcnews.al
Champions League, raundi i 1/8
Juventus-Lyon 2-1 (0-1)
(Ronaldo (pen) 43′, 60′ / Depay (pen) 12′)
Manchester City-Real Madrid 2-1 (2-1)
(Sterling 9′, Gabriel Jesus 68′ / Benzema 28′)