Ish-kryetari i komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli ka publikuar disa pamje ku shihen xhandarmëria serbe duke hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.
Me anë të një postimi në Facebook, Surdulli u ka bërë apel institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, që marrin masa që këto veprime të mos përsëriten.
Sipas tij kjo ka ndikuar shumë në popullsinë e kësaj zone, duke bërë që edhe qytetarët e zonës kufitare të shpërngulen nga aty.
“Sot, më 07.08.2020, rreth ores 18,05 një kolonë e ushtrisë së Serbisë të shoqëruar me disa qenë përsëri erdhën nga mali e anës së Serbisë kaluan nëpër rrugën e lagjës tonë të Bernjashëve dhe ranë teposht ende më fellë të territorit të Republikës së Kosovës. Ky veprim i hyrjes së ushtrisë serbe ne këtë pjesë të territorit të Kosovës me keqardhje po vazhdon edhe pas 20 viteve të çlirimit jo të plotë të Kosovës. Apelojmë te KFOR-i si dhe institucionet e Kosovës të marrin masa adekuate që mos të përsëriten këto veprime të ushtrisë serbe, sepse ka ndikuar dhe po ndikon përveç në shqetësimin po ashtu edhe në shpërnguljen e qytetarëve të zonës kufitare të Karaçevës”, shkruan Surdulli në postimin e tij.
Rreth kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.
Ai është shprehur se institucionet e sigurisë së Kosovës, duhet të veprojnë urgjentisht për të mbrojtur qytetarët, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës
“Sot rreth orës 17:00, xhandarmëria serbe është futur rreth 1 km në brendësi të territorit të Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë, Komuna e Kamenicës. Kamerat e sigurisë kanë kapur 11 pjesëtarë të uniformuar dhe të armatosur që kanë kaluar nëpër parkingun e Restaurant “Oxygen” që është pronë e Adhurim Krasniqit. Institucionet e sigurisë së Kosovës, duhet të veprojnë urgjentisht për të mbrojtur qytetarët, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Për herë të parë xhandarmëria serbe patrullon lirshëm në lagje të Karaçevës. Pamjet janë marrë nga restorani “Oksigjen” në Karaçevë”, shkruan Bajqinovci.
Banorët e fshatit Karaçevë të Kamenicës janë shprehur se janë te shqetësuar rreth prezencës së xhandarmerisë serbe.