5 vatra aktive në Fier, Lezhë dhe Kukës, terreni vështirëson ndërhyrjen e zjarrfikësve

schedule17:13 - 4 Gusht, 2020

schedule 17:13 - 4 Gusht, 2020

5 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në Fier, Lezhë dhe Kukës.

Flakët në Pyllin e Semanit u riaktivizuan një natë më parë.  Qindra hektarë në zonën e Godullës janë shkrumbuar, kryesisht shkurre dhe pisha.

Puna tre ditore e zjarrfikësve dhe forcave të ushtrisë është përqendruar në mbrojtjen e pyllit me pisha i ashtuquajtur “kurora” e Semanit.

“Temperatura e lartë, era janë disa faktorë që favorizojnë zjarrin. Disa herë janë rikthyer vatrat e zjarrit, por nuk besoj se ka dëme të mëdha”, u shpreh shefi i emergjencave civile Flamur Mato.

Terreni këtu bëhet i vështirë për shkak të përbërjes ranore që pengon lëvizjen e mjeteve të zjarrfikësve. Era e fortë bregdetare bëhet gjithashtu pengesë për shuarjen e vatrave të zjarrit.

“Ka pasur vështirësi për shkak të terrenit. Më tepër është punuar me krahë dhe një pakicë e vogël është punuar me ujë”, u shpreh shefi i zjarrfikësve Zija Hyka.

Flakët në masivin pyjor të Semanit vit pas viti kanë djegur sipërfaqe të mëdha me pisha dhe pemë të tjera.

Ndërkohë në Lezhë janë aktive 3 vatra zjarri, në Malin e Rrencit, të Kakarriqit dhe pranë një zonë të banuar. Forcat e ushtrisë po punojnë për shuarjen e flakëve.

Edhe në Kukës zjarret janë shfaqur në kurorën e gjelbër të qytetit.

Gafurr Rexha drejtor i shërbimit zjarrfikës në Kukës tha se situata është alarmante.

“Të dy vatrat e zjarrit kanë ardhur nga bashkitë kufitare”, u shpreh Rexha.

Dyshimet janë se zjarret janë të qëllimshme, por deri tani nuk është shoqëruar asnjë person përgjegjës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!