Xhafaj në Francë: Lufta kundër terrorizmit, jetësor koordinimi

schedule20:41 - 26 Prill, 2018

schedule 20:41 - 26 Prill, 2018

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, mori pjesë në “Konferencën mbi luftën kundër financimit të organizatave terroriste ISIS dhe Al-Kaeda” – NO MONEY FOR TERROR”, e cila po zhvillohet në Paris në selinë e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Në fjalën përpara autoriteteve më të larta zyrtare të 84 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare të ftuara në takim, z.Xhafaj ilustroi përpjekjet dhe kontributin konkret të Shqipërisë në përballje me fenomenet e terrorizmit dhe radikalizmit.

“Lufta kundër terrorizmit – u shpreh ai, gjatë fjalës – mbetet një nga prioritetet kyçe të qeverisë shqiptare.

Pavarësisht përmasave të saj, Shqipëria ka qenë një kontributor i përhershëm, i palodhur në përpjekjet globale të parandalimit dhe përballimit të terrorizmit dhe fenomeneve shoqëruese të tij”.

Ministri e konsideroi jetësore një rritje të koordinimit mes shteteve, si dhe bashkëpunimin mes agjencive ligj zbatuese respektive.

“Shqipëria është më se e hapur në këtë drejtim, e gatshme të marrë asistencën e duhur logjistike dhe profesionale që, për shkak të përmasave të saj, i mungon. Por kurrsesi nuk i mungon vullneti për të qëndruar në krah aleatëve të saj dhe synimit për marrëdhënie më të sigurta mes kombesh”, tha ministri i Brendshëm.

Në përfundim, z.Xhafaj u shpreh i bindur se nuk mund të ketë një Europë të fortë përballë terrorizmit dhe krimit të organizuar pa një Ballkan të përfshirë brenda procesve integruese të BE-së.

Për këtë arsye, tha ai, “ne jemi besimplotë për mbështetjen e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, Francës dhe Presidentit Macron në veçanti, ndaj këtij procesi”.

Pas fjalës së z.Xhafaj në konferencë, Ministri i Shtetit dhe Ministër i Brendshëm i Republikës së Francës, Gerard Collomb, i cili ishte dhe drejtuesi e moderatori i panelit ndërkombëtar të folësve në të, shprehu përgëzimet e tij për Shqipërinë.

Ai nënvizoi se i njihte mirë përpjekjet e autoriteteve shqiptare në këtë drejtim dhe i çmonte veçanërisht ato.

Konferencën e përshëndeti sot edhe Presidenti i Republikës franceze, Emanuel Macron, i cili me këtë rast mbajti dhe një fjalë përmbledhëse mbi punimet e saj.

Deklarata e Konferencës, e quajtur ndryshe “Axhenda e Parisit”, ndër të tjera nënvizon se vendet pjesëmarrëse duhet të vazhdojnë forcimin e kuadrit ligjor dhe operacional të brendshëm për mbledhjen, analizën dhe shpërndarjen e informacionit nga autoritetet kombëtare, luftën ndaj transaksioneve financiare anonime, rritjen e partneritetit me sektorin privat sidomos në fushën e industrisë teknologjike në përballje me financimin e terrorizmit, përdorimin e mekanizmave ngrirës të aseteve ekonomike kombëtare dhe ndërkombëtare që financojnë aktivitetet terroriste, si dhe rritjen cilësore të bashkëpunimit ndërkombëtar duke rritur vigjilencën e përbashkët mes shteteve në përballje me fenomenet e natyrës terroriste dhe radikale./tvklan.al