Gennaro Gattuso mori drejtimin e Napolit 11 dhjetorin e kaluar, duke zëvendësuar Carlo Ancelottin. Ekipi ndodhej në krizë dhe situata ishte shumë e keqe, por 42-vjeçari, i cili nuk frikësohet nga asgjë, uli kokën dhe nisi punën.
Napoli, që sigurisht ka kualitet të madh në përbërje, u rikthye gradualisht te rezultatet pozitive. Puna e madhe e Gattusos filloi të japë frytet e duhura dhe prej ardhjes së tij përfitoi shumë edhe Elseid Hysaj.
Shkodrani ka “rilindur”, duke fituar përsëri një post titullari, teksa gjeti edhe golin e parë në Serie A në sfidën kundër Sassuolos. Gattuso ka besuar shumë te cilësitë e tij dhe lojtari i kombëtares shqiptare ia ka shpërblyer.
Ndeshjet e mira kanë ndikuar që 26-vjeçari i korsisë së djathtë, të renditet në formacionin më të mirë të muajit korrik në Serie A. Whoscored.com ka zgjedhur Hysajn më të mirin e krahut të djathtë të mbrojtjes, teksa e vlerëson me notën 7. /abcnews.al