Ministrat e Transportit të Ballkanit mblidhen në Slloveni

schedule12:52 - 26 Prill, 2018

schedule 12:52 - 26 Prill, 2018

Ministrat e Transporteve të Ballkanit Perëndimor janë dakordësuar në Slloveni për rritjen e sigurisë rrugore dhe lehtësimin e kalimit kufitar. Pjesë e kësaj tryeze ishte Shqipëria.

Siguria rrugore dhe menaxhimi i kufijve bëri bashkë në Slloveni ministrat e Transporteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, shpjegoi në tryezën e drejtuar nga komisionerja evropiane për Transportin, Violeta Bulc, projektet e qeverisë shqiptare sa i përket sigurisë rrugore.

“Shpjegova edhe skemat e mbështetjes financiare nëpërmjet Partnerit Publik Privat si një nga format e përmirësimit të infrastrukturës në vend, çka u përmend edhe nga komisionerja. Gjithashtu, u fol edhe për një fond të Bashkimit Europian, që e mori përsipër komisionerja, për ta adresuar të gjitha ‘hot spot-et’, ato që quhen vende të rrezikshme, të gjitha nyjet e identifikuata të transportit në Evropën Juglindore”, nënvizoi Gjiknuri.

Këtij forumi iu bashkua edhe Turqia, ndërsa të pranishëm në tryezë ishin dhe përfaqësues nga vende anëtare të Bashkimit Evropian si Italia, Kroacia, Sllovenia, Greqia, Rumania dhe Qipro.

Në përfundim të takimit, ministrat u dakordësuan për dy deklarata që kishin për bazë angazhimin e përbashkët në rritjen e sigurisë rrugore ashtu sikurse lehtësimin e kalimit kufitar./abcnews.al