Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Federika Mogerini gjatë një konference tha se Siria nuk është një fushëbetejë gjeopolitike. Zyrtarja e Brukselit nënvizoi se duhet gjetur një zgjidhje politike për t’i dhënë fund konfliktit që ka hyrë në vitin e tetë.
“Siria nuk është një fushëbetejë, nuk është një lojë gjeopolitike. Siria i përket qytetarëve sirianë dhe janë ata që duhet të vendosin për të ardhmen e vendit”. Këtë e ka thënë Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, gjatë ditës së parë të koonferencës ku diskutohet për të ardhmen e vendit.
Në një konferencë për shtyp me të dërguarin special të Kombeve të Bashkuara, Staffan De Mistura dhe pas një takimi me eksponentë të shoqërisë civike siriane, Mogherini nënvizoi se qasja e përbashkët e BE-së dhe OKB-së është “kërkimi i një zgjidhjeje paqësore”. Gjithashtu kërkoi me ngulm përdorimin e diplomacisë, dialogut dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
“Kur një ngërç politik është kaq dramatic si sot dhe përshkallëzimi ushtarak rrezikon të shpërndahet akoma dhe më shumë, atëherë vlen më tepër zëri i sirianëve, femrave dhe burrave të atij vendi”, theksoi Mogherini duke i bërë thirrje palëve që të rikthehen në tavolinën e negociatave të ndërmjetësuara nga OKB. “Duhet gjetur një zgjidhje politike për krizën në Siri”, përfundoi përfaqësuesja e lartë e Unionit. /abcnews.al