Test i detyrueshëm për COVID-19 për udhëtarët nga zonat me rrezik të lartë që hyjnë në Gjermani

schedule10:50 - 28 Korrik, 2020

schedule 10:50 - 28 Korrik, 2020

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha se “do të bëjë të detyrueshëm testimin për COVID-19 për udhëtarët që vijnë në Gjermani nga zona me rrezik të lartë”.

Kjo i shërben mbrojtjes së të gjithë qytetarëve.

“Ne duhet të parandalojmë që udhëtarët që kthehen nga zona me rrezik të infektojnë pa u vënë re të tjerë dhe të shkaktojnë kështu zinxhirë të rinj infektimi”, tha politikani i CDU-së.

Testet për udhëtarët do të jenë falas. Testimet e detyrueshme pritet të hyjnë në fuqi javën e ardhshme. Personat testi i të cilëve rezulton pozitiv, duhet të qëndrojë për dy javë në karantinë.

Për këtë arsye Ministria Federale e Shëndetësisë do t’i detyrojë udhëtarët që vijnë në Gjermani dhe që kanë qenë të ekspozuar ndaj një rreziku të shtuar infektimi që t’i nënshtrohen një ekzaminimi mjekësor.

Pas heqjes së masave kufizuese, miliona gjermanë janë nisur sërish për pushime brenda dhe jashtë vendit.

Vendet e rrezikshme

Lista me vendet që konsiderohen si zona me rrezik të shtuar infeksioni përcaktohet nga qeveria federale gjermane dhe Instituti gjerman për Sëmundjet Infektive “Robert Koch” (RKI).

Sipas ministrit federal të Shëndetësisë, ndër këto vende bëjnë pjesë Turqia apo vendet e Ballkanit Perëndimor. Kriter qendror për këtë klasifikim është numri i të infektuarve rishtas gjatë shtatë ditëve të kaluara për 100.000 banorë.

Të rrezikshme konsiderohen ato shtete ose rajone në të cilat gjatë shtatë ditëve të kaluara ka pasur më shumë se 50 vetë të infektuar rishtas për 100,000 banorë.

Udhëtarët që vijnë nga vende që konsiderohen të parrezikshme mund të testohen vullnetarisht brenda 72 orëve – por jo në aeroport, por në klinika mjekësore ose tek Drejtoritë e Shëndetit Publik.

Edhe këto testime do të jenë falas.

Mungesë imuniteti edhe pas infektimit me COVID-19

Frika prej infektimeve të reja me COVID-19 është shtuar edhe sepse  pacienti i parë gjerman që u infektua me COVID-19,  humbi imunitetin ndaj virusit. Pra rreth tre muaj pas infektimit, ai nuk kishte më antitrupa mbrojtës që mund ta mbrojnë nga një ri infektim.

“Që nga muaji prill, pacienti nuk ka më antitrupa neutralizues ndaj COVID-19”, thanë mjekët.

Gjithsesi ai nuk ka pasur deri tani pasoja në mushkëri prej infektimit me COVID-19, thanë mjekët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!