Pas plot 4 vitesh, portieri Kenan Haxhihamza, është larguar nga Gjilani. Mezani humbet një lojtar të rëndësishëm, ndërsa vetë gardiani e konfirmoi largimin, duke shkruar: “Gjithmonë ka një fund, por nuk e prisja kaq të shpejtë edhe pse kanë kaluar 4 vite në SC Gjilan ku jam rritur e formuar si profesionist e mbi të gjitha si njeri. Një listë falenderimesh që vështirë është t’i gjesh fundin, duke filluar nga Presidenti i klubit për përkrahjen dhe korrektësinë e treguar, drejtorave dhe gjithë stafit administrativ, kapitenit, lojtarëve, shokëve të mi, trajnerëve me të cilët kam punuar në veçanti Afrim Ajdini i cili është më meritori për lojtarin që unë jam sot. Mirënjohës u jam gjithë jetën sepse fjala faleminderit është pak.
Sa i përket tifozerisë, falenderim të madh për përkrahjen sepse gjatë gjithë kësaj kohe përveç gëzimeve kemi pasur edhe zhgënjime e mospajtime. Nga sot do ju kuptoj më mirë sepse do të jem pjesë e juaja duke qenë gjithmonë në përkrahje të SC Gjilanit. Faleminderit qytetit që më dha dashurinë që se prisja dhe familjeve që m’i kanë hapur dyert këto 4 vite që për mua janë një jetë, gjithmonë do të jeni pjesë e kujtimeve më të bukura të kaluara në Gjilan qytetit që do t’i mbes borxh gjithë jetën. Mirupafshim Gjilan sepse është herët për Lamtumirë. Ju dua”.
Ndërsa tek ekipi i Llapit, ka pasur dy firma të rëndësishme, më konkretisht dy rinovime. Mbrojtësi Elvis Prençi dhe mesfushori Arbnor Ramadani, kanë rinovuar kontratat e tyre./abcnews.al