Emanuel Egbo i gëzohet sukseseve me Tiranën, por hap një temë shumë delikate si ajo e racizmit. Nigeriani ka folur pa doreza në një intervistë të dhënë për “ESPN Africa” dhe thekson se në Shqipëri e kanë sulmuar prej faktit që është i huaj dhe i zi. Në fakt kritikat nuk kanë munguar në disa raste, edhe pse Egbo po merrte rezultate mjaft të mirë dhe në fund e nxori kampione Tiranën.
“Më kanë sulmuar shumë herë, duke thënë gjëra të tilla si ‘ai nuk ka përvojë’ apo ‘ai është thjesht një trajner portierësh’, edhe pse unë nga një licencë UEFA Pro para disa prej atyre që më analizojnë mua. Ka edhe trajnerë vendas që drejtojnë në kampionat dhe nuk i sulmojnë si trajnerët e huaj”, thotë fillimisht Egbo.
Më tej ai shton: “Të njëjtën gjë bëjnë edhe me një trajner italian, por ai është europian dhe sulmet nuk janë aq të forta sa ndaj meje. Për shkak se jam i zi, sulmet e tyre janë më të shumta. Nuk mund ta pranojnë diçka të tillë. Këto janë gjëra që ta bëjnë shumë të vështirë punë. Të duhet durim, durim dhe hiri e vullneti i Zotit që të keni sukses”.
Suksesi i një të huaji, sipas Egbo, nuk pranohet në vendin tonë: “Është 100 vjetori i klubit dhe një i huaj shkon e fitonin titullin. Kjo është e paimagjinueshme. Kjo është një arsye pse në Shqipëri nuk mund ta pranojnë. Nuk mund të pranojnë që një njeri i zi, një i huaj, shkon dhe fiton kampionatin. Ata provuan gjithçka që të siguroheshin të mos ndodhte”.
Gjithsesi Egbo shprehet se janë edhe shumë të tjerë që e mbështesin: “Këtu ka shumë njerëz të mirë, njerëz që më mbështesin, trajnerë të rinj shqiptarë që më dërgojnë mesazhe. Ata më motivojnë dhe më mbështesin, edhe pse nuk e bëjnë publikisht për shkak se nuk duan të futen në telashe me autoritetet dhe trajnerët e tjerë që janë më të mëdhenj se ata.
Njerëzit e mirë të ndihmojnë, të këqijtë të japin përvojë për të shtyrë më tej dhe për të arritur qëllimet dhe objektivat. Kritikat shërbejnë si inkurajim për mua dhe për të më treguar se kam diccka për të cilën ata janë xhelozë dhe duhet të vazhdoj të bëj më të mirën për të përsëritur vetveten”, deklaron Egbo. /abcnews.al