Cristiano Ronaldo u bë futbollisti më i vjetër që arrin 30 gola në një kampionat të madh të Europës, që nga viti 1948. Portugezi arriti rekordin që kishte vendosur sulmuesi anglez, Ronnie Rooke
Duhej të kalonin më shumë se 70 vjet që të përsëritej. Kjo është një histori suksesi e Cristiano Ronaldos, që përngjan me atë që ndodhi plot 72 vite të shkuara. Më 1 maj 1948, ndërsa në Britaninë laburiste të pasluftës po festonin Ditën e Punëtorëve (me protesta, jo me piknik tek Liqeni), një sulmues i Arsenalit vendoste një rekord që mbetet në fuqi edhe sot.
Ronnie Rooke kalonte barrierën e 30 golave në elitën e kampionatit anglez, në moshën 36 vjeç e 146 ditë. Cristiano Ronaldo sot, mund të mburret se është më i vjetri që kalon 30 golat në një nga pesë ligat më të mëdha të Europës, që nga dita kur këtë e bëri Rooke.
CR7 arriti në 31 rrjeta në Serie A në moshën 35 vjeç e 166 ditë, pasi realizoi dy herë në portën e Lazio. Për më tepër, ai u bë i pari lojtar që shënon të paktën 50 gola në 3 liga të tilla si Premier League, La Liga dhe Serie A.
Cristiano arriti 84 rrjeta në Angli me Manchester United, ku luajti nga viti 2002 deri në 2009. Arriti një rekord të madh në Spanjë, me 312 goditje të sakta për Realin e Madridit, në vitet 2009-2018, duke pasur më shumë gola sesa ndeshje.
U përsërit në Itali me 51 për Juventusin dhe po flasim vetëm për kontributin nëpër kampionate, jo në kompeticionet e tjera. Jo vetëm kaq, por iu deshën vetëm 61 ndeshje për të arritur në 50 gola në Serinë A, ndërsa ish-rekordmeni Shevchenko pati nevojë për 68.
Tashmë, superylli portugez ka synimin e madh që të fitojë “Këpucën e Artë të Europës”, që do të ishte trofeu i pestë, për të mbetur vetëm 1 titull pas rekordmenit Lionel Messi. CR7 dhe Ciro Immobile, i Lazios, kanë nga 30 rrjeta në Serinë A, ndërsa duhet të luajnë edhe nga 4 ndeshje. Robert Lewandowski i Bayern Munich, me 34 realizime në Bundesliga, renditet i pari në Europë. /abcnews.al