Basha në Prishtinë: Jam nip Kosove! Gjyshërit e mi u larguan nga spastrimet etnike

schedule10:16 - 21 Korrik, 2020

schedule 10:16 - 21 Korrik, 2020

Kryedemokrati Lulzim Basha është takuar në ditën e dytë të vizitës në Kosovë me kryekomunarin e Prishtinës Shpend Ahmeti.

Basha tha gjatë fjalës së tij se ka marrë angazhim për bashkëpunim mes dy vendeve, duke deklaruar se protagonizmi është i pavend.

Kreu i PD vlerësoi gatishmërinë e Thaçit dhe Veselit për t’u përballur me drejtësinë pas akuzave për krime lufte duke theksuar se peshorja po anon më shumë nga akuzat për viktimën se sa për autorin.

Ai kujtoi se është nip Kosove duke theksuar se edhe gjyshërit e tij janë detyruar të largohen për shkak të spastrimeve etnike.

“Vij me kënaqësi në Prishtinë se më keni dhënë edhe emrin qytetar Nder, kam jetuar këtu, jam edhe nip Kosove. Kam marrë angazhim për një bashkëpunim mes dy vende larg iniciativave të pakonsultuar që kanë sjellë dëme.

 Është një rrugë e gjatë për Kosovën por plotësisht e mundur. Demokracia ka maxhorancë, ka minorancë, ka opozitë. Kërkoj një bashkëpunim dhe një gjuhë të përbashkët për të cilën gjykoj se hapësira që po krijohet do shërbejë për një bashkëpunim.

Unë flas për qasjen e PD sot dhe qeverisë nesër. Forcat politike në Kosovë kanë treguar se dinë të përballen me sfida edhe më të rënda. Ne mund të marrim  mësim nga njëri-tjetri pasi jemi një komb. Duhet të heqim dorë nga protagonizmi i pavend pasi është një keqpërdorim i çështjeve të Kosovës.  

Sa i përket gjykatës, askush dhe asgjë nuk mund ta njollosë luftën e bijëve dhe bijave të Kosovës. Kosova është përballur me spastrime etnike dhe vetë jam produkt i këtyre spastrimeve etnike pasi gjyëshërit e mi u detyruan të largohen.

Kam vlerësuar qëndrimet e Thaçit dhe Veselit që kanë treguar gatishmëri për t’u përballur me drejtësinë. Shpreh bindjen se do të triumfojë populli i Kosovës. Boll më me një peshore që anon nga akuza ndaj viktimës, ndërsa krimet mbeten pa autor. Uroj dhe shpresoj se drejtësia ndërkombëtare do vendosë peshoren në baraspeshë”, tha Basha./abcnews.al