Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është dënuar me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore e Prishtinës për mos-deklarim të pasurisë.
Gjykata e ka gjetur Ahmetin fajtor për mos-deklarimin e 172 mijë e 600 eurove, për të cilat ky i fundit thoshte se i ka dhuratë nga familja dhe se nuk i kishte deklaruar vetëm për shkak të një “gabimi teknik”, teksa Prokuroria kërkonte konfiskimin e kësaj shume.
Më 23 dhjetor 2025, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Ahmeti. Aktakuza ishte për mos-deklarim të pasurisë në vlerë prej 172 mijë eurosh. Në bazë të aktakuzës, nga viti 2018, deri më 2022, ai me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, përkatësisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse.
Shpend Ahmeti ishte zgjedhur Kryetar i Prishtinës në zgjedhjet lokale të vitit 2013 si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai shërbeu si i pari i kryeqytetit për dy mandate.



