Kreu i PD, Lulzim Basha ka nisur sot një vizitë zyrtare në Kosovë, me ftesë të kryeministrit Avdullah Hoti.
Në një konferencë të përbashkët për mediat, Basha vlerësoi menaxhimin që kanë bërë autoritetet e Kosovës për të përballuar Covid-19. Sipas Bashës kjo duhet të shërbejë edhe si shembull për Shqipërinë.
“Sot ndodhem këtu për t’ju përshëndetur ju dhe gjithë qytetarët në një moment të rëndësishëm dhe plot sfida. Po ndjekim me shqetësim përparimin e pandemisë dhe jam i inkurajuar nga paketa e masave që ju si autoritete keni njoftuar qoftë në aspektin shëndetësor dhe atë social ekonomik. Në këtë kuadër gjykoj se me paketën ekonomike në raport me buxhetin ju vendos në krye të vendeve të rajonit dhe përmban edhe një shembull për Shqipërinë. Vendimmarrja juaj dhe mënyra si do zbatohet është një shembull për Tiranën.
Dua t’ju falenderoj për rolin tuaj në rinisjen e dialogut me Serbinë. Dua t’ju shpreh edhe njëherë mbështetjen e plotë timen dhe të PD në këtë qasje që ka vetëm një përfundim, njohjen reciproke”, u shpreh kryedemokrati.
Më tej, Basha premtoi se vendimi i parë i tij si kryeministër do të jetë heqja e taksës së Rrugës së Kombit.
“Të ardhmen e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës. S’kemi bërë sa duhet akoma, por te PD do keni n jë partner të devotshëm, që ato punë që i kemi nisur vazhdojnë edhe më tej. Një ndër vendimet epara të miat si kryeministër do të jetë heqja e taksës dhe traut në Rrugën e Kombit, një vendim i padrejtë që rëndon mes dy vendeve. Tirana ka një detyrë të mbështesë pa asnjë rezervë qeverinë dhe institucionet e Kosovës. Ju falenderoj për këtë pritje vëllazërore”, deklaroi Basha. /abcnews.al