Tom Doshi: Nëse bëhet Vetting nuk kalon as gjysma e Parlamentit

schedule12:42 - 19 Prill, 2018

schedule 12:42 - 19 Prill, 2018

Deputeti i mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, Tom Doshi, i kërkon sqarime Departamentit Amerikan të Shtetit që pak ditë më parë i ndaloi atij dhe familjes hyrjen në Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

Tom Doshi:Kërkoj të prononcohet edhe DASH për akuzën që më kanë bërë.

Më herët, Doshi pati deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë ministër dhe nuk ka firmosur asnjë tender, ndërsa pas seancës parlamentare të së enjtes shkoi më tej, duke shigjetuar kolegët e tij në parlament. Vettingut, sipas deputetit të Shkodrës, veç gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet t’i nënshtrohen edhe politikanët.

Tom Doshi:Unë propozova që të bëhet Vetting edhe në politikë siç bëhet në gjyqësor dhe në prokurori për Reformën në Drejtësi. Por unë ju garantoj ju që nëse bëhet Vetting edhe në politikë nuk kalon as gjysma e Parlamentit. Të fillojnë të hetohet qysh tek shkollimi i fëmijëve, që i kanë shkolluar të gjithë jashtë, ku janë të ardhurat e tyre, tek vilat, tek makina, tek jeta e luksit që bëjnë dhe ta shikojmë se si dalin””

Pas ish-kryprokurorit Adriatik Llalla, deputeti i mazhorancës qeverisëse bëhet zyrtari i dytë nga Shqipëria, i cili shpallet person i padëshirueshem në Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

Vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit e bëri publik zëdhënësi i tij përmes një njoftimi për shtyp më 16 Prill, ku thuhej se sipas ligjeve amerikane, kur ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë.

Dy ditë më pas, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit i tha televizionit Klan se DASH ka informacionet të besueshme për përfshirjen e deputetit shqiptar Tom Doshi në afera korruptive si anëtar i Kuvendit.

Ndërkohë të tjera raste janë marrë në shyrtim dhe do t’u komunikohen personave publikisht ose privatisht./abcnews.al