Halili i sinqertë: Dua të rinjtë titullarë! Dhuratë nga Vllaznia? Kush s’do donte…

schedule10:58 - 19 Korrik, 2020

schedule 10:58 - 19 Korrik, 2020

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, është i kënaqur me fitoren ndaj Flamurtarit, ndërsa flet për shanset e ekipit të tij për t’u shpallur kampion. Numri 1 i klubit kërkon nga trajneri Egbo që të aktivizojë më shumë talente të akademisë

Nuk është se dyshohej për këtë fitore, por nuk ishte e sigurt derisa të arrihej. Ankthi mbetej edhe për një Tirana-Flamurtari, tepër larg traditës kur të dy ekipet luanin për trofe e kupat e Europës, ndaj edhe presidenti bardheblu, Refik Halili, u ndje i lehtësuar për tri pikë më shumë që e afrojnë drejt titullit.

Mos vallë, Halili mendon se Tirana tashmë mund te festojë? “Ju e patë vetë që çdo ndeshje është shumë e rëndësishme, e patë se çfarë bëhet, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm deri kur të shkojmë aty ku duhet të shkojmë, pra të marrim pikët që na duhen. Në përgjithësi jam i kënaqur. Gjatë këtyre ndeshjeve kemi pasur mungesa. Shpresoj që në Laç ta kemi ekipin e plotë dhe t’ia dalim me sukses”, tha për ABC News Halili pas ndeshjes së djeshme.

Golat u shënuan nga dy lojtarë të akademisë, Muçi e Ismailgeci. “Të gjithë i duan lojtarët e rinj. Unë e kam thënë shumë kohë përpara, që kam shumë qejf që gjithmonë në formacion të jenë katër lojtarë të akademisë, të rinj. Them se ajo po bëhet realitet, po shkojmë drejt asaj rruge. Shpresoj që ata t’i japin trajnerit rendimentin që pritet dhe që më pas ai t’i shfrytëzojë dhe të bëjë më të mirën për skuadrën”, shtoi kreu i klubit bardheblu.

Ndoshta Tirana mund të ketë ndonjë dhuratë nga ekipet që do të ndeshen me Kukësin, si Vllaznia. “Kush është ai që nuk i pret dhuratat? Kështu që shpresojmë që ne të marrim pikët që na duhen për të shkuar drejt titullit dhe për të gëzuar pas kaq vitesh. Le të presim e të shohim se çfarë do të ndodhë në Shkodër”, përfundoi presidenti i Tiranës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!