Te shtunën, banorët e fshatit Kasnicë u tronditën nga vrasja e bashkëfshatrit të tyre, Përparim Sehati. I plagosur, 46 vjecari, ka hipur në traktorin e tij të parkuar në rrugë, por nuk mundi të bëjë as disa metra në drejtim të shtëpisë.
Në gjëndje të rëndë ai u dërgua nga familjarët në spitalin e Fierit ku humbi jetën për shkak të hemoragjisë së brendshme, ndërsa autori ishte larguar në arrati.
Kryeplaku i fshatit Haxhi Qosaj është shprehur se ka humbur jetën në spital për shkak të hemoragjisë së brendshme.
LEXO EDHE: E qëlluan me thikë, humb jetën në spital 46-vjeçari në Fier
Konflikti që çoi në vrasjen e 46 vjecarit ka nisur për tokën e ndarë me ligjin famëkeq 7501 për një parcelë të ish kooperativës, të mbjellë me kumbulla. Tokën e pretendonte vëllai i viktimës dhe autori, por asnjë prej tyre nuk e kishte në pronësi.
“Kur ishte koperativa ka pas kumbulla të mbjellla dhe u dha nga tre rrënjë por pa tapi dhe ai vajti dhe i zuri si të gjithë. Unë nuk kam pas ankesë në lidhje me këtë ngjarje”, është shprehur kryeplaku.
31 vjeçari Alionid Saliu, kishte 6 muaj që ishte kthyer nga Greqia. Pas ngjarjes, ai tentoi të arratisej duke u strehuar te tezja e tij në fshatin Drizar. Aty u kap disa orë pas ngjarjes nga policia e Fierit. Viktima nga ana tjetër njihej si person i qetë dhe gezonte respektin e bashkëfshatarëve.
Banorët e fshatit Kasnicë nuk duan të komentojnë se kush kishte të drejtë. Tani po bëjnë vetëm atë që u takon në të tilla raste, të respektojnë të vdekurin duke marrë pjesë në cerëmoninë mortore.
Një ditë pas ngjarjes, policia e Fierit tha se vrasja ndodhi pas një sherri mes vëllait dhe nipit të viktimës me autorin dhe nënën e këtij të fundit. Kështu babë e bir, Agron dhe Gazmir Sehati, u arrestuan gjithashtu me akuzën e plagosjes së rënde me dashje dhe dhunimit të banesës. Nëna e autorit ndodhet në spitalin e Traumës pasi u lëndua nga Agron Sehati. Nuk është e qartë nëse viktima po kalonte rastësisht gjatë kohës kur po ndodhte sherri, apo kishte shkuar atje për të shuar konfliktin mes vëllait të tij dhe familjes Saliu. /abcnews.al