Policia e Beratit ka njoftuar se është arrestuar kryeplaku i fshatit Lybeshë në Skrapar dhe një tjetër, ndërsa është shpallur në kërkim një 32-vjeçar.
Ata akuzohen për “kultivim të bimëve narkotike” dhe “moskallëzim krimi” pasi është konstatuar bimë narkotike e kultivuar e llojit cannabis sativa, në pronën publike të këtij fshati.
Njoftimi i policisë:
Poliçan/Skrapar
Evidentohet dhe goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike.
Arrestohet kryeplaku i fshatit dhe një shtetas për moskallzim krimi.
Identifikohet autori i dyshuar, një 32 vjeçar dhe vijon puna për kapjen e tij.
Shërbimet e Policisë Poliçan, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, nga toka me grupe kontrolli dhe nga ajri me dronë me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e atyre personave që tentojnë të kultivojnë bimë narkotike, kanë konstatuar të kultivuara në territorin e fshatit Lybeshë, në pronë publike, bimë narkotike cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Poliçan arrestuan në flagrancë shtetasit:
- A.T, 54 vjeç, banues në fshatin Lybeshë, me detyrë kryeplak, pasi dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre”.
- S.T, 59 vjeç, banues në fshatin Lybeshë, pasi dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Moskallzim krimi”.
Në vijim të veprimeve hetimore u shpall në kërkim shtetasi D.Sh(S), 32 vjeç, banues në Lybeshë, si autori i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimës narkotike”
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprime të mëtejshme