Egbo: Gabim nëse e nënvlerësojmë Flamurtarin, i kam kërkuar dy gjëra skuadrës

schedule16:58 - 17 Korrik, 2020

schedule 16:58 - 17 Korrik, 2020

Pas Kupës së Shqipërisë e ka radhën kampionati dhe Tirana pret Flamurtarin ditën e nesërme (17:45). Gabimet ndaj kuqezinjve nuk tolerohen dhe fitorja e afron më shumë me titullin skuadrën e Emmanuel Egbo, i cili ka prekur disa tema të ndryshme në konferencën për shtyp.

FLAMURTARI – “Ndeshje e fituar për ju, por është një nga ndeshjet më të vështira që mund të luaj një ekip pretendent. Edhe Flamurtari edhe Luftëtari, apo ekipet e tjera që janë poshtë, janë njësoj për ne si ato që janë në vend të dytë apo poshtë nesh. Ndeshja duhet të vlerësohet maksimalisht nga ekipi dhe lojtarët tanë. Do t’i marrim ndeshjet një nga një, e kemi vlerësuar maksimalisht dhe nuk e kemi luksin ta nënvlerësojmë apo të gabojmë”.

KËRKESA – “Përqendrim dhe të jemi pak të kujdesshëm, këto i kam kërkuar skuadrës. Duhet të rikuperojmë sa më shpejt dhe të jemi gati për ndeshjen e nesërme. Vlerësim dhe respekt maksimal për kundërshtarin”.

PËRGATITJA E NDESHJES – “Jo nuk besoj se është e vështirë, sepse po vjen sprinti i fundit në kampionat, kështu që lojtarët janë më të motivuar. Po të ishim në fillim apo në mes të kampionatit, do të isha dakord, por në këtë fazë e dinë të gjithë lojtarët që është një ndeshje që duhet ta fitojmë. Nuk duhet ta humbasim motivimin e brendshëm. Nuk ka hapësirë për nënvlerësim, duhet të luftojmë për të arritur objektivin tonë”

MUÇI – “Gjithmonë ne shikojmë lojtarët që janë gati për çdo ndeshje. Çdo ndeshje ka specifikën e vet, ne i dimë se cilët lojtarë mund të jenë gati. Këtë ua kam shpjeguar shumë herë djemve. Cilësitë e Muçit i dimë dhe gjendjen e tij fizike. Po i japim minuta, po e merr veten. E kemi çuar te U-19 dhe Tirana B. Vendosim ne, jo ju që na pyesni. Ne i stërvitim lojtarët ditë për ditë, e dimë çfarë niveli janë dhe sa minuta mund të luajnë”.

TITULLI – “Nuk e kam mendjen atje fare. Kemi ndeshjen me Flamurtarin, aty e kam mendjen. Të futemi në fushë dhe të marrim atë që na takon duke dhënë maksimumin. Në qoftë se futemi në fushë, japim maksimumin dhe ia bëjmë hyzmetin ndeshjes, Zoti do na shpërblejë dhe do na japë pikët që na takojnë”.

KUNDËRSHTARI – “Kanë lojtarë me eksperiencë, kanë lojtarë që kanë luajtur në Superiore për shumë vite. Është ekip që duhet vlerësuar maksimalisht. Duan të tregojnë veten, kështu që nuk duhet nënvlerësuar për asnjë moment ky ekip”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!