Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, pas takimit me Avdullah Hotin në Bruksel, në televizione të ndryshme të Serbisë, ka dhënë detaje të shumta rreth gjërave që janë diskutuar brenda në tavolinën e negociatave.
Vuçiç ka thënë se bisedimet me Hotin kanë qenë të vështira, derisa ka thënë se i është dashur t’i kundërpërgjigjet për 20 herë me radhë Hotit sa herë ky i fundit ka përdorur frazën “dy shtetet”.
Kreu i shtetit serb ka thënë se 20 herë i është kundërpërgjigjur Hotit duke i thënë “një shtet dhe një provincë autonome”.
Vuçiç ka thënë se populli serb duhet të qëndrojë i qetë pasi në Bruksel është luftuar për interesin e Serbisë dhe se Beogradi zyrtar nuk nënshtrohet.
Ndër të tjera Vuçiç ka thënë se Serbia duhet të marrë pjesë në negociata, përndryshe do të izolohet nga bota.
“Ju mendoni se është kënaqësi për ne të jemi këtu. Unë e kam refleksin e Pavlovit sa herë që vij këtu. Jam i lodhur duke dëgjuar Hotin se si kosovarët janë viktima dhe ne jemi zuzarët. Por duhet të jesh i fortë dhe shumë i fortë”, ka thënë Vuçiç./abcnews.al