Holanda do të tregohet shumë strikte për sa i përket vendimit të saj për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok.
Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok ka bërë të ditur se Holanda do jetë shumë strikte për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE. Pas drekës së punës me përfaqësuesen e lartë, Federica Mogherini të hënën në Luksemburg, ku është diskutuar për draftin e progres raporteve për Ballkanin Perëndimor, ai është shprehur për mediat holandeze, se nuk mund të bëhen pazare me kriteret e anëtarësimit. Sipas tij, vendet kandidate duhet të tregojnë përparim të madh edhe para hapjes së negociatave dhe Holanda do jetë shumë strikte për këtë. Kjo deklaratë është bërë një ditë para progres raportit.
Stef Blok, ministri i Puneve të Jashtme, Holandë: “Ne duhet të shohim së pari rezultate. Duhet kohë që këto vende të kryejnë punën para se të shprehemi”.
Pyetje: Por ne flasim për hapje të negociatave. A mendoni se mund të hapen negociatat për këto vende ?
Stef Blok: “Edhe për hapjen e negociatave, duhen treguar që është punuar fort. Nuk e di se ç’ka ekzaktësisht në progres raportin e Komisionit Europian që do prezantohet nesër. Di që Holanda është shumë strikte. Duhet të shohim së pari rezultatet dhe pastaj të marrim vendimin”.
Kjo deklaratë është publikuar edhe në gazetën holandeze “De Telegraf”, ku thuhet se ministri Blok është shprehur se nuk mund të ketë pazare me kriteret e anëtarësimit, se vendet kandidate duhet të tregojnë përparim të madh dhe se Holanda është shumë e rreptë në këtë drejtim./abcnews.al