Christopher Aurier, vëllai i mbrojtësit të Tottenham, Serge, u vra para pak ditësh dhe ky ishte një lajm i trishtë për futbollistin dhe të afërmit e tij. Edhe ai luante futboll, madje anësori i “Spurs” rrëfen se ka pasur më shumë talent se ai. E gjitha ndodhi për shkak të një vajze, ndërkohë që Serge ka dhënë një intervistë për “Ledepeche” në një moment mjaft të vështirë për të.
“Ishte njeri i familjes, i një familjeje shumë të madhe. Ai kujdesej për të gjithë, sa kohë unë isha larg. U kujdes për nënë, nipërit dhe mbesat. U kujdes për gjithçka me kënaqësi. Isha edhe unë i gëzuar kur ai ishte pranë nënës. Ishte sikur të isha edhe vetë aty”, tregon Serge, i cili nuk ndalet me kaq dhe zbulon edhe detaje të tjera.
“Ne kemi pasur një projekt së bashku, në aspektin profesional. Ishte shumë besimtar dhe kishte planifikuar të martohej në fund të vitit. Projekti ynë mbeti pa u përfunduar”, shton futbollisti i Tottenham. Me futboll merrej edhe Christopher dhe Serge madje pranon se kishte qenë më i talentuar se ai. “Ai ishte më i mirë se unë, por unë isha më serioz. Talentin e kishte ai, cilësitë i kishte ai, kurse unë vendosmërinë.
Rrugëtuam së bashku në futboll, ishim pjesë e Lens. Me të vërtetë ishte më i talentuar se unë. Për më tepër te Lens atë e morën të parin dhe pastaj mua. Ishte shumë pozitiv, kurse në fushë kishte shumë karakter. Nuk i pëlqenin padrejtësitë. Ai vazhdonte të luante në Toulouse pa treguar se ishte vëllai im. Shumë vetë e mësuan këtë gjë pasi vdiq”, deklaron Aurier.
Christopher dhe Serge ishin të lidhur, ndërkohë që të vegjël shtynin njëri-tjetrin për t’u përmirësuar. “Ai ishte përkrahësi im numër një. Jo gjithmonë binim dakord për shumë gjëra. Më dërgonte mesazhe të mira dhe të këqija. Më shkruante mesazhe para çdo ndeshje dhe pa asnjë diskutim është një humbje shumë e madhe për mua.
Raporti kur ishim të vegjël? Kur ishim të vegjël babai donte më shumë atë, ishte më i vogël. Edhe kur kisha të drejtë, nuk kisha të drejte. Ishte një luftë nga ato të mirat. Shtynim veten përpara me atë energji”, shprehet Serge, i cili më pas falënderon klubin e Tottenham.
“Dua të falënderoj klubin tim, Tottenham. Kam luajtur të mërkurën dhe djemtë e ekipit ia kushtuan ndeshjen vëllait tim. Fola me trajnerin dhe doja të luaja, pasi gjithmonë duhet të qëndrojmë në këmbë. Doja të luaja dhe e bëra diçka të tillë. Ishte një lojë kunji dhe fituam. E dija që nuk do të isha i vetëm në tokë…”.
Aurier nuk i shmanget edhe një momenti të sikletshëm, si mësimi i lajmit të vdekjes së Christopher: “Ishte ora 7 e mëngjesit. Isha në shtrat, kur një miku im më dërgoi një foto nga një postim në Twitter. E pyeta nëse ishte me të dashurën e tij. Kishte ardhur në shtëpi dhe kishte dalë sërish. Duhet t’i tregoja nënës shpejt. Mbeta në shtrat gjithë ditën pa lëvizur. Ka qenë një ditë shumë e vështirë”.
“Takova një nga miqtë e tij që ishte me të. E gjitha ndodhi për një histori femrash. Ai po fliste me një ish të tij, me të cilën kishte qenë në një lidhje shumë kohë më parë. I dashuri i ri i saj donte ta ndalonte. Ai nuk e dinte, shkoi të blinte ushqim dhe aty u qëllua. Shoku i vëllait tim është një djalë trim. Është e vështirë të jesh me dikë dhe në sekondën tjetër ta shohësh të vdekur. I thashë të mos zemërohej. Ishte dita e tij…”, shton Serge.
I pyetur në fund si ndihet, a ka urrejtje brenda tij, mbrojtësi deklaron: “Është një lajm i mirë që vrasësi është dorëzuar. Ka qenë një veprim i zgjuar nga ana e tij. Sot duhet t’i qetësojmë gjërat. Nuk kam ndjenjën e urrejtjes dhe hakmarrjes. Punoj në një profesion ku duhet të jesh i qetë. Jam i tillë dhe besoj te drejtësia. Jam i trishtuar dhe më vjen shumë keq për humbjen e vëllait tij, të cilin ende vazhdoj ta vajtoj”. /abcnews.al