Ekspertët e armëve kimike ende jashtë Gutës lindore

schedule15:06 - 18 Prill, 2018

schedule 15:06 - 18 Prill, 2018

Ekspertët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike ende nuk kanë hyrë në qytetin Duma të Sirisë, ku dyshohet se është kryer një sulm me armë kimike. Kjo është bërë e ditur nga një ekip sigurie, i OKB-së, i cili inspektoi terrenin.

Ekspertët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, OPCË, nuk kanë hyrë ende në qytetin Douma të Gutës Lindore në Siri, që gjendet në afërsi të Damaskut, i cili është goditur nga një sulm me gaz kimik me 7 prill. Kjo është bërë e ditur nga ambasadori sirian në Kombet e Bashkuara, Bashar Jaafari, duke saktësuar se grupi që hyri të martën në Douma ishin ekspertë të OKB-së për sigurinë, që duhet të verifikojnë nëse kushtet janë të përshtashme për hyrjen e ekipit të OPCW.

Ekipi i sigurisë i pallatit të qelqtë, i cili vëzhgoi për herë të parë zonën, ku dyshohet se është kryer sulm kimik në Siri, është qëlluar me të shtëna me armë zjarri. Kjo është konfirmuar nga shefi i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, që citohet nga Sky News. Më herët, televizioni shtetëror sirian kishte njoftuar hyrjen e ekspertëve të OKB-së. Të martën presidenti rus, Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane Angela Merkel theksuan rëndësinë e një hetimi të paanshëm për akuzat në fjalë.

Ndërkohë, ushtria e Moskës thotë se ka zbuluar në qytetin Douma një laborator të përdorur nga militantët opozitar të regjimit të Bashar al-Assad, për të prodhuar armë kimike.

“Një laborator kimik dhe një depozitë e substancave kimike janë gjetur gjatë një inspektimi në Douma”, ka thënë për mediat ruse, një zyrtar i Kremlinit me mision në Siri.

Ndër të tjera, Rusia i kërkon vendeve perëndimore që të mos manipulojnë opinionin publik dhe të mos ndërhyrjnë në punën e organizatave ndërkombëtare. Gjithashtu sëfundmi është zbuluar dhe një varr masiv në Douma me 30 viktima. Këto zhvillime vijnë pas sulmit të dyshuar me armë kimike në rajonin e Gutës Lindore ku u vranë rreth 100 persona. Për këtë perëndimi akuzoi regjimin e Assad. Por Siria dhe Rusia pretendojnë se ky ishte një justifikim i SHBA-së, Francës dhe Britanisë për të kryer bombardimet e fundit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!