Tirana e Teuta u përballën në finalen e Kupës së Shqipërisë edhe në vitin 2005 dhe ishin “Djemtë e Detit” që festuan pas gjuajtjes së penalltive. Skuadra e drejtuar nga Stavri Nica iu gëzua trofeut, ndërkohë që më pas bardheblutë mbetën pa trajner. Sulejman Starova, gjatë emisionit “Pressing” në ABC News iu rikthye asaj ndeshjeje dhe atyre që ndodhën.
Në studio ishte edhe një protagonist tjetër, Albano Janku, i cili e kishte gjykuar atë finale. Kur i kujtohet gjyqtari Starovës, ai thotë; “Ça të mbaj mend unë, gjyqtarët? Jemi mundur me penallti. Aty më bënë daljen këta (qesh). Mora kampionatin dhe dolëm në finale.
Më ka anuluar një gol, e di ai (i drejtohet Albano Jankut). E bëri Xhafa, kaluam në avantazh 1-0 dhe e anuloi. Shkuam te penalltitë dhe e humbëm Kupën. Bëhet fjalë për sezonin 2004-2005. E mban mend mirë Janku, te malorja e Elbasanit më tha mua hap krahun se do vije trajner tjetër.
Shikoni çfarë të bën arbitri (qesh). Ishte zonja Shefikat, Riti, ishin të katërt aty, më shkarkuan si Zhukovi (Gjeneral i famshëm rus), direkt pas finales. Ku doje të të shkarkonin? Po në avion, se ashtu dukej, aq lart ishim, në Qafë Kërrabë”, mbyll me shaka Starova, ndërkohë që të qeshurat në studio ishte e pamundur t’i ndalje. /abcnews.al