Si të dukeni me stil edhe në plazh? Flet ekspertja në Abc News

schedule10:13 - 17 Korrik, 2020

schedule 10:13 - 17 Korrik, 2020

Olesia Leço, eksperte e BonTon ishte e ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” për të folur për rregullat që njerëzit duhet të ndjekin kur ndodhen në plazh, në mënyrë që të duken me shumë stil. Ajo vuri në dukje një problematikë, që sipas saj duhet të jetë rregulli i parë kryesor, mbajtja pastër e ambientit.

“Mbajtja pastër e ambientit, unë mendoj se duhet të jetë A-ja para se të merremi me pamjen dhe paraqitjen. Kam lëvizur tek Kepi i Rodonit atje ndihej era mesjetë ende. Plazhi ishte mrekulli dhe për fat të keq kishte mbeturina. Ne kemi mungesë qytetarie sepse ambienti ku ne jetojmë nuk është vetëm e jona. Duhet ta konsiderojmë si një shtëpi me qera sepse nuk është vetëm e jona.” , tha ajo.

Ajo shpjegoi rregullat që duhet të ndiqen nga pushuesit që të ndihen mirë dhe me stil, duke filluar nga ekspozimi i tepërt, kodi i veshjes dhe aksesorët që duhet të përdoren.

“Ekspozimet e tepruara, disa zonja që kanë një trup të bukur duken dhe më interesante nëse kanë dhe diçka të hedhur sipër, ndërsa ato që nuk ndihen mirë më mirë të mbulohen për sytë e të tjerëve por edhe për veten.  Në restorant nuk pranohet dot një mashkull gjysmë i zhveshur ndërkohë që drekon.  Ajo vajza me trupin e bukur le ta hedhë diçka sipër se do të duket më interesante në sytë e meshkujve.

Unë e kuproj që ka festa shumë interesante që bëhen në mbrëmje në plazh, nuk do të isha për takat elegante se ka të tjera sandale apo taka për plazhin. Nëse duan të duken më interesante me taka, rezultati është i kundërt.  Po ashtu edhe të zhveshurit më shumë se çduhet në plazhe të caktuara. Çdo gjë duhet të jetë me masë, dhe çdo ambient ka rregullat e tij.  Nuk mund të bëjmë dot pa një rimel, por që të jetë patjetër kundër ujit. Aksesorët e plazhit janë syzet, kapelja, kremi edhe një buzëkuq i lehtë, jo bizhuteri të tepruara.”, tha ajo.

Leço u ndal gjithashtu dhe tek gabimet që shpesh bëjnë vajzat me sandalet në plazh, ndërsa dha edhe disa këshilla se çfarë duhet të përdorim.  “Shapkat duhet të përdoren vetëm në plazh dhe jo për pasdite buzë detit. Nëse do të jemi në një restorant pasdite në zonën e plazhit, aq më keq pandoflat me gisht tek meshkujt janë një pamje e shëmtuar. Ka vende të caktuara që edhe pse jemi buzë detit, nuk të lejojnë të jesh me pantallona të shkurtra.

Darka është një tjetër gjë, duhet të respektohet një kod veshjesh, nuk mund të shkojmë me rroba të lagura. Një gjë e tmerrshme që unë nuk e pranoj janë fëmijët e zhveshur në plazhe dhe ata prindër që i lënë. Duhet të jemi të kujdesshëm edhe në selfie edhe për vete edhe për të tjerët, pasi nuk duhet ta gjejmë veten në foton e shpërndarë të dikujt tjetër.“, shtoi ajo.

Përsa i përket pushuesve që vendosin të marrin kafshët shtëpiake me vete, ekspertja tha se duhet të ndiqen disa rregulla: “Nuk do ta pranoja në një plazh ku ka shumë njerëz të tjerë, të jetë aty pa maskën edhe pse mund të jetë qeni më i butë i botës. Ka dy rregulla: nuk duhet të lahen në det kur lahen njerëzit e tjerë, ka një orar në mëngjes kur nuk ka njerëz dhe në darkë.

Është ok për aq kohë sa plazhi na e lejon. Jam shumë pro ngrënies në plazh vetëm se ka disa rregulla pasi erërat mund të bezdisin të tjerët, duhet të përdoren disa ushqime të thjeshta.“, përfundoi ekspertja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!