Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç këtë të martë është takuar me përfaqësues të listës zgjedhore “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”, me qëllim formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 21 qershorit.
“I dëgjoi propozimet, kërkesat dhe nevojat” e përfaqësusve të Luginës së Preshevës, të cilët, për herë të parë në tri dekadat e fundit, kanë marrë pjesë me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Përfaqësuesit e partive shqiptare kanë folur për qëllimin që shqiptarët të integrohen sa më shumë në institucionet e shtetit të Serbisë, si dhe për domosdoshmërinë e përparimit ekonomik, si në jug të Serbisë, ashtu edhe në të gjithë vendin”, thuhet në njoftimin e Presidencës serbe.
Ndër të tjera në këtë takim Vuçiç është shprehur se është i gatshëm që në mënyra të ndryshme të ndihmojë zhvillimin e jugut të Serbisë. Ai tha se do t’i informojë përfaqësuesit e partive shqiptare në 14 ditët e ardhshme për rrjedhën e mëtejshme të formimit të Qeverisë së Serbisë.
Shaip Kamberi, nga Partia për Veprim Demokratik në Bujanoc, i cili mori pjesë në takim me Vuçiçin, tha se vendimi i përfaqësuesve të Luginës rreth qëndrimit ndaj qeverisë së re, do të varet nga qëndrimi dhe programi që kjo qeveri do të ketë ndaj shqiptarëve dhe kërkesave të tyre legjitime.
Më 5 korrik, Komisioni Zgjedhor në Serbi publikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 21 qershorit, në bazë të të cilave “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar” ka fituar tre mandate për deputetë./abcnews.al