Këtë verë askush nuk e kishte menduar të jetonte i kufizuar për shkak të pandemisë. Aq më pak këngëtarët, një prej kategorive “izolimi” i të cilëve po zgjat më shumë nga të gjithë.
Por ky nuk është rasti i Marsela Çibukajt. Këngëtarja ka zgjedhur një formë për të qenë pranë publikut të zhvendosur në destinacione turistike brenda vendit.
Duke u kujdesur të zgjedhë ambiente të hapura ku pushuesit mund të ruajnë edhe distancë nga njëri tjetri, bashkë me bandën e saj ajo tashmë ndodhet në jug ku nuk mund t’i shpëtonte mikrofonit të “Edicionit Veror”.
Në një intervistë për ABC News ajo zbulon disa nga planet saj më të afërta për një këngë që pritet të “piqet” në vjeshtë dhe një martesë prej vërteti që do të planifikohet kur kjo pandemi të ketë përfunduar.
Marsela bën një apel për të gjithë teleshikuesit që të qëndrojnë brenda vendit, pasi nuk kanë nevojë të marrin avionët, duke qenë se Shqipëria ka destinacione mjaft të bukura.
“Ne kishim nisur shumë bukur vitin me një koncert në Vjenë. Do bënim një event kaq të madh në Japoni por ai ka qenë ndër të parët e anuluar.
Ne na ka munguar skena dhe publiku. Unë shpresoj që të mbyllet me kaq dhe ta suportojmë këtë situatë. Me siguri të gjithë do e mbajmë mend këtë vit dhe pandeminë e këtij viti. Ne ishim mbrëmë në Palasë, para një jave në Pogradec. Po bëjmë një turne.
Nuk kemi planifikuar asgjë. Është mirë që po qëndrojmë në Shqipëri me muzikën tonë. Unë ju ndjek gjithmonë dhe këtu dua të them që kemi vendet më të bukur në botë. Nuk kemi nevojë të marrim avionët.
Një këngë është në punim e sipër. Unë mendoj që vjeshta do jetë më fruta të mira dhe mendoj në vjeshtë do e sjell.
Fustanin e kemi, celebrimin mediatik e kemi bërë. Të heqim pjesë e pandemisë dhe kur të fillojnë dasmat e mirëfillta do e planifikojmë”, thotë Marsela Çibukaj./abcnews.al