Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, vendosi ditën e sotme të anulojë vendimin e UEFA-s për përjashtimin e Manchester City me dy vite nga kompeticionet evropiane për shkak të parregullsive në FFP (Fair-Play Financiar).
Klubi anglez ishte gjobitur me 30 milion euro, por tashmë do i duhet të paguajë një gjobë prej vetëm 10 milion eurosh. Ndërkohë që lajmi i ardhur nga Zvicra ka lumturuar drejtuesit, trajnerin Guardiola, lojtarët dhe tifozët e Cityt; në Spanjë është pritur keq. Presidenti i La Ligas, Javier Tebas, në një prononcim për El Chiringuito, sulmon ashpër CAS-in.
“Kjo Gjykatë nuk është në lartësinë e detyrës. Ne duhet të rishqyrtojmë nëse CAS-i është organi i duhur për të apeluar vendimet institucionale në futboll. Zvicra është një vend me një histori të shkëlqyer arbitrazhi, por CAS-i është jashtë këtij standardi“, deklaron drejtuesi spanjoll. /abcnews.al