Çfarë do të ndodhë me transportin urban gjatë javës? Shoqata e Transportit merr vendimin nesër

schedule13:30 - 12 Korrik, 2020

schedule 13:30 - 12 Korrik, 2020

Transporti publik do të jetë funksional të hënën. Të gjitha ata që do të kenë nevojë të përdorin urbanet në kryeqytet për të lëvizur, këto mjete do të jenë në qarkullim.

Ky është vendimi që ka marrë shoqata e transportit urban, një ditë pasi paralajmëroi se mund të pezullohej qarkullimi i urbaneve për shkak të humbjeve të mëdha financiare që kanë mësuar operatorët.

ABC News mësoi se qarkullimi i urbaneve do të jetë vetëm të hënën, ndërsa vendimi për ditët në vijim, do të komunikohet nesër nga shoqata e transportit urban.

Ky vendim, saktësuan burimet, do të varet nga përgjigja që operatorët do të marrin nga bashkia e Tiranës, së cilës i kanë kërkuar që të mbulojë shpenzimet për të kryer transportin, nën kushte te koronavirusit.

Gjatë javës që shkoi fluksi i qytetarëve që kanë përdorur shërbimin e transportit urban në tiranë ka qenë i ulët. Për këtë arsye operatoret kanë dalë me humbje financiare, gjë që i ka bërë ata që të rishikojnë vendimin për të vijuar aktivitetin dhe për t’i parashtruar bashkisë dhe qeverisë disa kërkesa.

Më konkretisht, shoqatat e transportit urban në kryeqytet kërkojnë zërimin e TVSH-së, heqjen e akcizës së karburantit, rimbursim nga bashkia për kategoritë e personave që nuk paguajnë shërbimin publik si dhe rimbursimin e kapacitetit të munguar të pasagjerëve si pasojë e respektimit të protokollit.

Edhe operatorët e transportit ndërurban kanë njoftuar se do të operojnë sipas vendimit të shoqatave në Tiranë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!