Aplikacioni më i famshëm i momentit TikTok po përballet me një sërë vështirësish për shkak të akuzave se po cënon privatësinë e përdoruesve. Pak ditë më parë, India ndaloi përdorimin e dhjetëra aplikacioneve kineze, mes të cilëve dhe TikTok, për të cilat pretendon se përbëjnë një kërcënim për sigurinë dhe sovranitetin e hapësirës kibernetike indiane.
Një gjë të tillë po planifikon ta bëjnë dhe Shtetet e Bashkuara. Mirëpo, duket se Instagram ka përfituar nga kjo situatë duke krijuar një opsion të ri, të quajtur Reels, që të lejon të bësh video si TikTok, sipas CNN. Ashtu si aplikacioni kinez, Instagram Reels gjithashtu i lejon përdoruesit të regjistrojnë video të shkurtra dhe t’i modifikojnë me këngë dhe filtra të ndryshme, shkruan abcnews.al.
Instagram nisi testimin e këtij opsioni në Brazil në nëntor, duke u zgjeruar më tej në Gjermani, Francë dhe së fundmi në Indi, megjithatë kompania nuk ka bërë ende publike një datë se kur do të bëhet e mundur përdorimi i kësaj veçorie të re për të gjithë botën.
Por Instagram nuk është e vetmja kompani që është fokusuar në krijimin e këtij opsioni, edhe Youtube pritet të lançojë “Shorts”, me karakteristika të ngjashme që iu jep mundësinë përdoruesve të ngarkojnë video të shkurta në platformë. /abcnews.al