Mjeku pediatër Kujtim Ibrahimi është një prej të infektuarve nga stafi i Gjinekologjisë në spitalin e Elbasanit. Në një intervistë me gazetaren Fabiola Hoxha në Abc News, mjeku u shpreh se është infektuar ai dhe bashkëshortja e tij.
Ibrahimi tha se virusin e kanë marrë në spital, pasi një prej stafit rezultoi pozitiv. Janë 5 anëtarë të stafit të infektuar, ndërsa mjeku tha se është mbyllur reparti i Gjinekologjisë, pasi pjesa tjetër është karantinuar.
Ibrahimi theksoi se ai dhe bashkëshortja nuk kanë asnjë shenjë klinike, ndërsa bëri thirrje që duhet t’u bëhet tamponi të gjithë stafit në mënyrë që të jenë më të sigurt kur të nisin punën.
“Puna ime dhe e kolegëve është në spitale dhe në çdo moment jemi të rrezikuar. Tamponin e bënë jo se kishim klinikë por në ambientet tona doli një infermiere pozitive. U detyrua bashkëshortja të bëjë analizën, e bëra edhe unë dhe dola pozitiv. Nuk them që jam infektuar nga bashkëshortja, por jemi infektuar në maternitet. Ne nuk kemi asnjë lloj shenje klinike. Në maternitet dikush ka qenë me Covid dhe ka filluar ta marrë personeli”, deklaroi mjeku.
Më tej, Ibrahimi tha se nuk ka fëmijë të infektuar në pavion. “Nuk ka asnjë fëmi të infektuar në materintet. Kur bëjmë vizita jemi të izoluar. Me të dalë tamponi pozitiv në maternitet u morën masat, u mbyllën repartet e gjinekologjisë dhe personeli u vetëkarantinua. Ne kemi kontakte të përditshme me njëri tjetrin. Në momentet kur lëmë punën mund të kontaminohemi. Kur bëjmë mbledhje me njëri tjetrin nuk kemi masa, masat i kemi vetëm kur je i me pacientët.
Janë infermierë pozitive. Dje është bërë tamponi i një pjese. Të gjithë personeli është karantinuar dhe është mbyllur reparti i gjinekologjisë. Po punon vetëm urgjenca. E mira është që i gjithë personeli të bëjë tamponet. Është bërë dezinfektimi i ambienteve të repartit të gjinekologjisë, të sallës së fëmijëve”, u shpreh mjeku.
I pyetur nëse u është bërë tamponi nënave, ai tha se nuk e ka një informacion të tillë.
“Me dijeni time nuk di kush ka bërë tampon. Por di që një pjesë e personelit i është nënshtruar tamponit. E mira është që t’i bëhet tamponi i gjithë personelit që të jemi të sigurt”, deklaroi ai.
“Unë dhe bashkëshortja jemi pa shenja. Kjo do të thotë se edhe shumë të tjerë mund të jenë pa shenja. Prandaj duhet bërë tamponi për të gjithë”, shtoi Ibrahimi më tej. /abcnews.al