Egbo lëshon sfidën: Tiranës i duhen tre pikët! Shtyrja e derbit? Ka rregullore

schedule17:59 - 9 Korrik, 2020

schedule 17:59 - 9 Korrik, 2020

Partizani-Tirana luhet nesër, prej orës 20:45, ndërkohë që para derbit ka dalë para medieve trajneri i bardhebluve, Emanuel Egbo. Ai foli edhe për të infektuarit me COVID-19 te Partizani. Kjo është hera e dytë që Tirana përballet me një situatë të tillë, kur te Bylisi doli pozitiv Eridon Qardaku

“Besoj se dy lojtarë janë infektuar, tani presim rezultatin e testeve të të tjerëve. Nuk kemi frikë, por normalisht duhet kujdes. Është diçka normale, nuk është hera e parë”, tha Egbo, i cili u pyet në lidhje me rrezikun që të mos luhet derbi.

“Nuk është puna ime. Rregullore ka. Kampionati vazhdon, edhe nëse ka lojtarë të infektuar. Ata izolohen dhe pjesa tjetër luan. Çdo lojtar i Partizanit, apo i Tiranës, qofshin edhe të ekipit U19, futen në fushë. Ndaj bëhen llogaritë edhe me ata”, deklaron mes të tjerash tekniku i bardhebluve.

Egbo është i qartë në lidhje me objektivin në derbi: “Vetëm tre pikët në nevojiten. Ne jemi të fokusuar tek objektivi ynë. Nuk ka sfida personale, unë jam punëtor i këtij klubi. Mendoj si ta çoj ekipin përpara.

Derbi është si ndeshjet e tjera. Do futemi në fushë dhe të marrim rezultatin që duam. Nuk më intereson me pak ose me shumë gola. Mjafton të marrim atë rezultat që na nevojitet për objektivin që kemi. Ndeshja ka brenda tre rezultate. Do tentojmë më të mirën.

E kam thënë se do i marrim ndeshjet një e nga një. Këtë e kam gjithmonë. Atëherë bëhen llogaritë. E rëndësishme është të japim maksimumin. Nëse e bëjmë këtë, do të marrim atë që duam. Rezultati vjen kur i bën hyzmetin”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!