Bashkia Shkodër ka konfirmuar bashkëpunimin me “Albaphoto Shpk”, e përfaqësuar nga administratori Alban Xhaferi. Fillimisht kjo kompani, distributore e të famshmes japoneze “Fujifilm”, do të jetë në rolin e sponsorit në klubin e Vllaznisë, që vitet e fundit ka pasur probleme të shumta, në menaxhim dhe në rezultatet sportive.
Xhaferi e shikon nënshkrimin e kësaj marrëveshje si të rëndësishme për të futur këmbët te Vllaznia dhe për të arritur deri në hapin final, privatizimin e klub. Për “Telesport” ai ka folur për nënshkrimin e marrëveshjes me Bashkinë Shkodër, planet që ai ka dhe për qëllimin kryesor të momentit, qëndrimin e Vllazninë në 10 skuadrat më të mira të vendit.
MARRËVESHJA – “Kam 3 muaj që punoj në këtë drejtim dhe të them të drejtën falënderoj edhe Bashkinë e Shkodrës për frymën e bashkëpunimit në një situatë aspak të lehtë. Partneriteti është vetëm një hap i parë, ose më saktë, mundësia që të përfshihemi në projektin “Vllaznia”. Juridikisht jemi në kuadrin e sponsorizimit, duke pritur që së shpejti të vijë edhe ligji për privatizim, që do të ketë pika më favorizuese për të arritur te Shoqëria Aksionere, siç është edhe modeli ideal. Aktualisht ligji nuk na lejonte më shumë se sa kjo kontratë që kemi firmosur bashkë me kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, zonjën Voltana Ademi”.
“Vllaznia ka president tani? Po, mund ta themi! Edhe pse, natyrisht, president është një fjalë që në Shqipëri përdoret pa kriter ose është thjeshtë titull honorifik në SH.A (shoqëri aksionere). Megjithatë, nga sot do të jem pjesë e Vllaznisë dhe do ta ndjek në çdo moment, duke kontribuar edhe financiarisht por edhe në organizimin e çdo sektori”.
PLANET – “Kam programuar një mbledhje me skuadrën, stafin teknik dhe çdo funksionar, por kjo do të zhvillohet pas ndeshjes që Vllaznia do të luajë ndaj Skënderbeut, një transfertë e vështirë në Korçë. Tifozi ka të drejtë të jetë skeptik, ndodh kudo! Ajo që mund të premtoj është dëshira e mirë për të shpëtuar Vllazninë dhe për ta nxjerrë nga kjo qorrsokak ku është futur. Do të bëjmë më të mirën tonë, si financiarisht duke ndihmuar edhe Bashkinë për të rritur buxhetin, ashtu edhe në organizim. Duhet kohë, siç e thashë, pasi ky është hapi i parë, por ishte e vetmja mënyrë për të qenë pjesë e Vllaznisë.
PREMIO NË VAZHDIM – “Të shohim, të shohim (qesh)… Rëndësi ka që të kuptohet se Vllaznia nuk mund të luftojë më për mbijetesë dhe sidomos që të sigurojmë mbijetesën këtë sezon. Një tjetër disfatë do të ishte tragjike për qytetin, për mua personalisht dhe këdo që është i lidhur me këtë klub historik”, përfundoi Xhaferi. /abcnews.al