Gjergj Cukali i dyshuari kryesor për vrasjen e ish-policit Arben Bilali është drejt pafajësisë. Prokuroria e Tiranës ka vendosur që të pushojë çështjen në ngarkim të të fortit të Tiranës pasi Gjykata e Apelit i rrëzoi provën kryesore. Fati i Cukalit do të përcaktohet nga gjyqtari i seancës paraprake.
Pas më shumë se një viti hetime, organi i akuzës në kryeqytet nuk ka arritur të provojë akuzën ndaj Gjergj Cukalit, si autor i vrasjes së ish-policit Arben Bilali mesditën e 30 janarit 2019, pranë banesës së tij në zonën e Selitës në Tiranë.
Prokuroria dorëzohet dhe pushon çështjen në ngarkim të tij, 10 muaj pasi Gjykata e Apelit e liroi Cukalin nga qelia, duke i ndryshuar masën e sigurisë në “detyrim paraqitjeje”.
Gjergj Cukali ishte arrestuar në 31 maj të vitit të shkuar, 4 muaj pas atentatit ndaj Bilalit, dhe qëndroi pas hekurave vetëm 3 muaj deri në vendimin e Gjykatës së Apelit që i dha lirinë.
Ne këtë vendim ndikoi shume analiza e AND-së për identifikimin e 41-vjeçarit, që sipas togave të zeza, ishte kryer në mënyrë të paligjshme.
Në procesverbalin e paraqitur nga policia thuhet se është gjetur një bidon me ujë në makinën që u përdor nga autoret në ngjarje dhe në këtë objekt janë gjetur gjurmë biologjike, por pa e specifikuar se në çfarë vendi konkret është gjetur kjo gjurmë.
Gjithashtu ekspertët e kanë krahasuar pështymën, që u gjet në bidon, me ADN-në që ishte bërë më herë Cukalit për ngjarje të tjera, ku ishte përfshirë.
Togat e zeza të Apelit kanë theksuar se këqyrja e automjetit tip Benz, të përdorur nga autorët për vrasje, nuk është bërë në vendin ku është gjetur, por është kontrolluar pasi e kanë transportuar në një garazh të policisë.
Po ashtu sipas Apelit, Gjergj Cukali është arrestuar vetëm me iniciativën e policisë, bazuar tek prova biologjike, pa pasur një urdhër prokurori.
Deri tani, prokuroria nuk ka hedhur dritë mbi autorët e ekzekutimit të Arben Bilalit, shumë pranë banesës së tij.
Ish-efektivi i policisë Arben Bilali është i treti i vëllezërve në familjen e tij që vriten në atentat në 2 dekadat e fundit.
Familja Bilali ishte prej vitesh në një hasmëri me një tjetër familje në zonën e “Yzberisht” në Tiranë. Prej këtij konflikti, që daton në vitin 1994, numërohen disa të vrarë nga të dyja palët. /abcnews.al