Kotzias në Prishtinë: Të interesuar për stabilitetin rajonal

schedule20:59 - 12 Prill, 2018

schedule 20:59 - 12 Prill, 2018

Stacioni i fundit i turit ballkanik të Nikos Kotzias ishte Kosova, pavarësinë e se ciles Greqia nuk e ka njohur ende. Shefi i diplomacisë greke gjatë vizitës në Prishtinë, ka theksuar se Greqisë i intereson stabiliteti rajonal. Në takimin dypalësh, Presidenti Thaçi ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë.

Normalizimi i marrëdhënieve mes shteteve në Ballkanin Perëndimor, por edhe në vetë Bashkimin Europian, është shumë i rëndësishëm për të gjithë. Ka qenë ky mesazhi që ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka përcjellë të enjten në Prishtinë, në takimin me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Në takimin e mbajtur, Kotzias dhe Thaçi kanë biseduar për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Brukseli, si dhe për bashkëpunimin ekonomik. Ndër të tjera, Kotzias ka thënë se vendi i tij mbështet planin për integrimin europian të Ballkanit, ndërsa Thaçi ka kërkuar që qëndrimi konstruktiv i Greqisë kundrejt Kosovës të vijojë.

Konkretisht, kreu i shtetit ka kërkuar përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si në Interpol, UNESCO e më pas në NATO, BE dhe OKB. Ndër të tjera zyrtarët kanë folur për hapjen e zyrës së Kosovës në Athinë, që do të ndihmojë në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe. Nga ana e tij, Thaçi ka shtuar se Kosova po krijon një klimë të favorshme për biznes, duke theksuar se investitorët grekë janë të mirë se ardhur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!