Kukësi fitoi 1-2 në kryeqytet përballë Tiranës dhe kampionati është rihapur, edhe pse bardheblutë e kanë në dorën e tyre titullin kampion. Në një lidhje direkte me emisionin “Pressing” në ABCN News, trajneri i ekipit verilindor, Orges Shehi, flet rreth fitores, titullit, ekipit të tij dhe të ardhmes.
“Fitore që na ngroh, na u donte shumë dhe ia arritëm. Pas pandemisë, mendoj se kemi bërë një ecuri të njëjtë, si ne dhe Tirana. Ishte një ecuri paralele, pikët i qajmë për atë që ndodhi para pandemisë. Ky ishte treni jonë i fundit dhe e kapëm.
Ne kemi një minikampionat, që është prej katër javësh. Kampionati nuk është më në dorën tonë, por të bëjmë punën tonë dhe t’i fitojmë ndeshjet. Më pas do të bëjmë llogaritë.
Gjici më i qeshur se kurrë? Patjetër që ishte një natë speciale, një nga lojtarët më të mirë mbushi 24 vjeç. Kur fiton, të gjithë janë më të lumtur, nga presidenti deri te punëtori i fushës. Mbrëmje e këndshme. Mendoj që të jenë të lumtur të gjithë aktorët e klubit dhe pjesë të këtij suksesi. Kjo është më e rëndësishmja.
Unë jam pozitiv gjithmonë, jam i qetë vetëm kur skuadra shfaqet mirë dhe luan me grintë. Trofetë janë objektivat e klubit, do të luftojmë fort për të fituar trofe, por unë i qetë.
Presidenti ka të drejtën ekskluzive për të vendosur. Ne jemi profesionistë dhe na mbetet të pranojmë verdiktet, që merren në fund të sezonit”, theksoi Shehi. /abcnews.al