Rakacolli hedh poshtë “teoritë”: Koronavirusi vijon të jetë agresiv njëlloj si në mars

schedule20:54 - 6 Korrik, 2020

schedule 20:54 - 6 Korrik, 2020

Për të folur më tepër rreth situatës së Covid-19 në vendin tonë, e ftuar në “Mbrëmja në Abc” ishte kryetarja e Komitetit të Ekspertëve për koronavirusin në vendin tonë, Mira Rakacolli.

Sa i përket konfirmimit të rasteve me Covid-19 edhe tek të rinjtë, Rakacolli u shpreh se kjo ka ardhur ngaqë kjo grupmoshë nuk ruhet.

Rakacolli: “…Po të vini re, të moshuarit vijojnë të ruhen. Nuk kemi të sëmurë në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit..Kjo vjen nga mbrojtja. Të rinjtë bëjnë jetën më aktive, plazhe kafene, përqafohen më shumë, rrinë afër më shumë. E keqja është që kemi pasur raste të renda, mes 30-35 vjeçarëve.”

Po ashtu, Mira Rakacolli konfirmoi se mbyllja në shtëpi ndikon shumë në shëndetin mendor të personave ndërsa shtoi se jeta nuk do të jetë njëlloj këtë vit.

“Me mbylljen në shtëpi mbrohesh nga sëmundja, por ka edhe një dëmtim të shëndetit mendor. Kjo shoqërohet me një ulje të imunitetit. Prandaj është një gjë që ndodhi. 1 herë në 100 vjet i ndodh njerëzimit. Jeta nuk do të jetë njëlloj këtë vit. U kuptua tashmë që do bëjë ciklin e vet. Është gjë që na ndodhi. Do ta kalojmë,“shtoi më tej kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

E pyetur nëse virusi është i ndryshëm nga ai që ka qarkulluar në mars, ajo u shpreh se mund të ketë ndryshime në strukturë por kjo ende nuk është reflektuar në agresivitetin e virusit.

Rakacolli: “Shumë thonë që viruset pësojnë mutacione. Simptomat janë të njëjtat, agresiviteti është i njëjti. Nuk është i vërtetë se është më i lehtë se ai i marsit. Në të ardhmen..libri i koronavirusit shkruhet çdo ditë nga 1 faqe. Vijon të jetë e panjohur situata. Mundohemi të përgatitemi për skenarët më të këqij. Do bëhen vaksinat e gripit. Ka dhe teori që thonë që nuk mund të jene dy viruse agresive në të njëjtën kohë, sepse luftojnë njeri-tjetrin.”

Sa i përket masave që duhen marrë në rast të përkeqësimit të situatës, Mira Rakacolli u shpreh se vetë personalisht nuk është shumë për vendosje të penaliteteve ndërsa shtoi se njerëzit shohin dhe influencohen nga shembujt që u jepen.

E pyetur nëse beson se në vijim do të ketë ulje të numrit të rasteve, Rakacolli u shpreh:

“Ju e dini që vlerësimet, e sjelljes së njerëzve duken dy javë pasi ka ndryshuar sjellja. Unë shpresoj shumë që javën tjetër, të kemi një ulje të rasteve.  Duhet të mendojmë më globalisht. T’i hapim udhëtimet për turizmin e huaj, të vinë turistët. Po të ulen shifrat do hapen kufijtë. Duhet ta shohim shumë më globalisht turizmin.”

Sa i përket imunitetit të tufës, Rakacolli u shpreh se ashti si edhe ekspertët e tjerë, ajo mendon se është diçka e vështirë për t’u arritur. /abcnews.al/