Polemikat ishin të mëdha pas duelit Real-Juventus në Ligën e Kampionëve. Italianët ishin pranë mrekullisë dhe akuzuan arbitrin anglez, Oliver, se i vodhi me penalltinë që dha në fund
Kur mbërritën në stadium nuk e menduan se çfarë do të ndodhte.
Fitorja 3-0 në Torino ishte tepër e thellë për t’u shpëtuar nga duart yjeve të Realit, që prisnin Juventusin në shtëpinë e tyre, “Santiago Bernabeu”.
Italianët nuk vonuan për t’i nxjerrë të gabuar.
Mario Manxhukiç ishte emri i ndëshkuesit, me sulmuesin kroat që shënoi që në minutën e dytë.
Do të ishte përsëri ai, njeriu që realizoi në finalen e vjetshme të Championsit në Kardif, që do të mposhtte për herë të dytë Kejlor Navasin.
Dy gjuajtje me kokë, dy gola dhe kualifikimi i hapur për në gjysmëfinale.
Në një ndeshje të furishme nga të dyja skuadrat, kampionët e Italisë patën përvojën dhe qetësinë për të pritur momentin e tyre.
Vuajtën jo pak nga sulmet e galaktikëve të rinj madrilenë, që krijuan sërish shumë raste dhe goditën shtyllën.
Ronaldo, Bejl, Marselo, Isko apo Varan patën mundësi të shënonin, por atyre ua pati fajin mënyra sesi hynë në ndeshje.
Siç thotë shprehja “kur do ti që të luash, nuk do futbolli”.
Drama u duk se arriti kulmin në kur kishte kaluar një orë lojë, dhe kur gabimi I portierit vendas, I dhuroi miqve golin e tretë, atë të barazpeshës.
Blez Matyidi barazoi shifrat e çerekfinales.
Gjithsesi, kulmi nuk kishte mbërritur ende, dhe ishte ruajtur për në minutën e tretë dhe të fundit shtesë, kur Ronaldo ndihmoi Lukas Vaskezin të fitonte një penallti.
Vendim i drejtë apo i gabuar i gjyqtarit anglez, Majkëll Oliver?
Edhe mund të jepej, edhe jo, më lehtë në kontinent sesa në futbollin anglez nga vinte Oliveri.
Italianët u tërbuan që po u shkatërrohej një mrekulli që e kishin krijuar me aq mund, dhe veterani Xhanluixhi Bufon e humbi mendjen derisa mori kartonin e kuq.
Ronaldo fiksoi fatin e përballjes, me një penallti të ekzekutuar si raketë balistike, dhe Reali arriti në një farë mënyre në gjysmëfinale.
Bufon, as pas ndeshjes, nuk mundi dot ta falte gjyqtarin anglez.
Bufon: “Penalltia? Nuk ka çfarë të thuhet për të. Një gabim I arbitrit edhe ndodh, ky nuk është problem, por një profesionist që vjen të drejtojë një ndeshje të tillë duhet të jetë I përgatitur. Së pari, duhet të dijë se çfarë ndodhi në ndeshjen e parë. Së dyti, duhet të ketë një lloj ndjeshmërie sepse në fushë ishin disa nga lojtarët më të mirë të botës, si Ronaldo, Bufon, Navas, Kielini e të tjerë. Ai dha ato dy vendime në fund dhe tregoi se ishte një vrasës, një kafshë. Vetëm një njeri që ka një kazan plehrash në vend të zemrës, mund të japë vendime të tilla”.
Ndërsa fliste, legjenda italiane pati një përqafim surprizë me yllin më të madh të vendasve, Kristiano Ronaldon.
Portugezi, gjithsesi, kishte mendim tjetër për gjyqtarin.
Ronaldo: “Ishte një ndeshje shumë e vështirë që duhet të na shërbejë si mësim që në futboll asgjë nuk dhurohet dhe asgjë nuk është e sigurt. Gjithsesi, mendoj se jemi fitues të drejtë, dhe përsa i përket penalltisë nuk e di se përse protestojnë. Futbolli, megjithatë është i tillë”.
Trajnerët natyrisht ishin më të qetë.
Juventini Masimiliano Alegri fillimisht foli për lojtarët e tij.
Alegri: “Jam krenar për atë që bënë, dhe për gjithçka që po bëjnë këtë sezon. Jam krenar edhe për atë që bënë në ndeshjen e parë për 60 minuta. Më vjen keq, sepse e meritonin të paktën që të luanin dy kohët shtesë. Sa për penalltinë, arbitri vendosi në këtë mënyrë dhe ajo vendosi ndeshjen. Më vjen keq se kualifikimi u vendos nga dy vendime në kohën shtesë, në Torino dhe këtu në Madrid”.
Ja edhe Zinedin Zidan.
“Padyshim që u shqetësova nga kjo ndeshje, dhe mendova se edhe mund të eleminoheshim. Unë e di se këto janë gjëra që ndodhin këtë sport. E dinim se kundërshtari ishte shumë I fortë, pavarësisht ndeshjes së parë, ndërsa ne bëmë gabime. Pësuam gol që në minutën e dytë, dhe nuk e menaxhuam ndeshjen siç duhet. Në fund na ndihmoi penalltia, dhe lojtarët e mi më thanë që ishte penallti. Komenti im nuk mund ta ndryshojë atë që ndodhi”.
Mediat natyrisht që reaguan si të çmendura dhe duke zënë pozicionet e tyre.
“La Gazeta delo Sport” komentoi e përmbajtur: Juventusi i tërbuar! Dominon Realin në Madrid, por eleminohet pas një penalltie shumë të dyshimtë
“Il Korriere delo Sport” është krejtësisht tifoz: Çfarë vjedhjeje! Një penallti e paqenë në të 93-ën I mohon Juventusit mrekullinë ndaj Realit në Champions!
“Marka”: Ishte penallti! Juventusi shkaktoi panik në “Bernabeu”. Reali vuajti si asnjëherë tjetër, por u kualifikua si gjithmonë!
“AS”: Nga paniku në gjysmëfinale! Bufon: Ishte një e dhjeta penallti! Ronaldo: Nuk e kuptoj përse protestojnë! Zidan: Vuajtëm dhe bëmë gabime!
“El Mundo Deportivo”: Master në arbitrim! Madridi arrin në gjysmëfinale në stilin e tij, me penallti shumë të dyshimtë në të 93-ën”
“Sport”: Vjedhja e shekullit! Arbitri shpiku një penallti të paqenë që Madridit të kalonte në gjysmëfinale!
“L’Ekip”: Një yll I mbarë mbretëror! Të vënë poshtë nga një Juve e madhe, madrilenët shpëtuan mrekullisht kualifikimin, me një penallti të justifikueshme në fund!
Festimi madrilen në dhomën e zhveshjes në “Bernabeu” nuk mungoi.
Reali ka sërish mundësi ta fitojë trofeun e tij më të dashur, edhe pse ajo që ndodhi ndaj Juventusit e vë në pikëpyetje mbrojtjen sërish të titullit.