Tirana-Kukësi është kryendeshja e javës së 32-të në Kategorinë Superiore. Bardheblutë presin ekipin verilindor në “Selman Stërmasi”, sfidë që nis në orën 17:45. Kryeqytetasit janë shumë afër fitimit të titullit kampion, që mund të vijë që nesër nëse arrihet një fitore 3-0.
Nëntë pikë më shumë numëron Tirana se skuadra e Shehit dhe Emmanuel Egbo pret maksimumin nga djemtë e tij. Në konferencën për shtyp, trajneri nigerian flet edhe për humbjen ndaj Bylisit në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë.
NDESHJA – “Mendoj që është një ndeshje që nuk ka nevojë për të karikuar lojtarët. Është si një derbi dhe mund të vendosë kampionatin. Titulli? Atë e di Zoti dhe presim çfarë është rezervuar. Do mundohemi të japim maksimumin në fushë dhe shpresojmë të marrim rezultatin që na takon”.
BYLIS – “Ato që kam thënë pas ndeshjes atje nuk dua t’i përsëris. Ishte ndeshja e parë në Kupë dhe i lamë pushim disa lojtarë, duke ditur se kishim ndeshje me Kukësin. Shyqyr që humbëm 2-1 dhe jo 3-1, por shpresojmë te përmbysja. Nuk më shqetëson shumë mënyra se si humbëm, pasi disa nga ata lojtarë nuk kishin shumë minuta”.
PERFORMANCA – “Nuk mund të them se në ndeshjen me Bylisin ka qenë Tirana më e dobët, pasi ishte vapë e madhe. Ndaluam gati tre herë për të pushuar. Unë mendoj se është e rëndësishme që nuk e humbëm me rezultat të thellë”.
SHKURTAJ – “Mendoj vetëm për ekipin tim, pasi edhe në kemi mungesa. Shkurtaj është një nga më të mirët e kampionatit, por të shikojmë nëse do jetë në fushë. Ne do fokusohemi te lojtarët që janë të gatshëm dhe shpresojmë që të japim maksimumin”. /abcnews.al