Atletico Madrid fitoi 3-0 në shtëpi përballë Mallorca mbrëmjen e kaluar dhe vijon të konfirmohet si forcë e tretë e kampionatit spanjoll. Djemtë e Simeones po japin gjithçka për të siguruar sa më shpejt kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm.
Më pas do të fokusohen totalisht te sezonin aktual i këtij kompeticioni, që rinis në muajin gusht. “Colchoneros” eliminuan kampionët e Liverpool dhe janë kualifikuar në çerekfinale. Vitet e fundit kanë humbur dy finale, të dyja ndaj Real Madrid, dhe sivjet shpresojnë të triumfojnë më në fund.
Alvaro Morata realizoi dy herë në fitoren ndaj Mallorca, duke u ngjitur në shifrën e 15 golave sezonalë. Sulmues spanjoll karikon ambientin e Atleticos në një prononcim për Mundo Deportivo, duke paralajmëruar edhe rivalët evropianë.
“Kanë mbetur edhe disa ndeshje në kampionat që duhet t’i fitojmë. Ky sezon ka qenë i vështirë për ne. Duam të renditemi sa më lart në kampionat dhe më pas do të përqendrohemi te Champions League. Jemi të qartë se çfarë do të thotë për tifozët, klubin dhe ne lojtarët fitimi i Champions.
E dimë që mund të luftojmë ndaj çdo kundërshtari. Eliminuam skuadrën më të mirë në Evropë, ky është një tregues i forcës tonë. Mund dhe besojmë që mund ta fitojmë këtë trofe”, deklaron Alvaro Morata. /abcnews.al