Hije skandali në Kupën e mëkateve, Bylisi-Tirana një turp! 

schedule20:20 - 2 Korrik, 2020

schedule 20:20 - 2 Korrik, 2020

Tirana mund të fitojë titullin kampion në fund të këtij sezoni, ndoshta edhe Kupën e Shqipërisë. Gjithsesi janë disa njolla që nuk hiqen, siç ndodhi para tre vitesh. Të gjithë i mbajnë mend ndeshjet me Kukësin në Kupë, si dhe ngritjen e trofeut pas finales me Skënderbeun. Festonin vetëm afrikanët.

Të njëjtat ndjenja kanë përjetuar tifozët edhe sot në takimin mes Bylisit dhe Tiranës. Bardheblutë, të parët në klasifikim, çuditërisht nuk ishin favoritë për të fituar as kur ishin ne avantazh. Fitorja e Bylisit, kur 24 herë kampionët e vendit po fitonin 0-1, kuotohej me koeficientin 1.5.

 

Ose bastvënësit kanë qenë budallenj dhe i kanë paratë tepër, ose diçka e kanë ditur. Me gjasa edhe pa filluar ndeshja. Ndeshja ishte e kuptuar në shumë kompani dhe sigurisht ata që e ndjekin futbollin tonë kanë nxituar të fitojnë ndonjë qindarkë, por kanë pasur kohë deri në minutën e 50-të, kur edhe një pjesë e mirë e kompanive e bllokuan ndeshjen.

 

Pas barazimit, fitorja e Bylisit kuotohej me koeficientin 1.17.  Bastvënësit kur nuhasin diçka, nuk gabojnë. Bylisi shënoi edhe golin epërsisë dhe në fund me rezultatin 2-1 i është gëzuar fitores. Sigurisht, ata me të drejtën e Zotit do të thonë se ne bëmë lojën tonë dhe nuk shpjegojmë dot sjelljen e kundërshtarit. Film i parë dhe një nga arsyet pse tifozët as që duan të shohin futboll shqiptar.

Ndoshta Egbo këtë herë do ketë pasur ndonjë bisedë me Zotin dhe do ketë dëgjuar edhe njëherë fjalët e Jezu Krishtit në momentin që u gozhdua: “Zot fali, nuk e dinë çfarë bëjnë”. Në fakt e kanë ditur nga fillimi çfarë duhet të bënin. Në Kupën e mëkateve lejohet gjithçka. /abcnews.al