Mira Kazhani: Më pëlqen Rama se bën gabime, por jo krime

schedule21:24 - 10 Prill, 2018

schedule 21:24 - 10 Prill, 2018

E ftuar në “Provokacija”, gazetarja Mira Kazhani e pyetur nga drejtuesi i emisionit, Mustafa Nano, ka folur rreth kryeministrit të vendit, Edi Rama.

Sipas Kazhanit, Rama është një njeri që do t’i mungojë Shqipërisë pas 100 vitesh.

Mustafa Nano: “Çfarë mendon për Ramën? Apo nuk e do si pyetje”?

Mira Kazhani: “Pse? E dua edhe pyetjen edhe Ramën, kështu që nuk ka asnjë problem”.

Mustafa Nano: “E dhe përgjigjen”!

Mira Kazhani: “Mendoj që Edi Rama është një njeri që do t’i mungojë Shqipërisë pas 100 vjetësh. Kam bërë një ditar me të dhe disa mendime tek 25 rreshtat e mi që unë shkruaj te “Tirana Post”. E kam thënë pak a shumë idenë time. Po të tregoj një sekret të vogël! Me një mikun tim, i cili është një gazetar, me Henri Çilin mund ta them. Biseda është spontane kështu që tek ti e kemi të relaksuar dhe me sinqeritete”.

Mustafa Nano: “Mendoje dhe njëherë se mund të jetë diçka që mund të na gjejë në një dritë të keqe”.

Mira Kazhani: “Jo. Është një gjë e bukur. Me Henrin, kur bëhemi ndonjëherë në kafe, e shpika unë këtë metodën. Marrim personazhin, e vdesim dhe i vëmë titullin”.

Mustafa Nano: “Më keni vdekur mua ndonjëherë”?

Mira Kazhani: “Ty nuk të kemi vdekur por do të të vdes sot. Edhe po vrisnim mendjen, çfarë titulli do vendosim, qoftë larg kur të vdesë Edi Rama. E vramë mendjen edhe ramë dakord që titulli i duhur do ishte: Vdes njeriu që i provoi të gjitha”.

Më tej, gazetarja tha se ka simpati për Edi Ramën. Ajo u shpreh se e pëlqen kryeministrin se bën gabime dhe jo krime.

“Më duket një njeri i kulturuar. Unë kam simpati për Edi Ramën. Shpesh herë kam vërejtje për të, jam kritike, kur bën gabime. Por më pëlqen se është kryeministër që bën gabime, nuk bën krime. Kështu që më mirë Ramën për momentin”, tha editorja e “Tirana Post”./abcnews.al