Ish-presidenti i Bashkimit Sovietik, Mikhail Gorbachev, ka bërë thirrrje që takimi mes presidentëve Trump dhe Putin të mbahet sa më shpejt për të ulur tensionet e ngritura nga kriza në Siri. Gorbachev ka deklaruar se, nuk duhet kurrësesi që në shekullin XXI të përsëritet kriza kubaneze.
Është e domosdoshme që Vladimir Putin dhe Donald Trump të takohen sa më shpejt për të shmangur një “krizë kubaneze” të shekullit të 21-të. Është ky apeli që ka bërë presidenti i dikurshëm i Bashkimit Sovietik, Mikhail Gorbachev. Sipas Gorbachev, duhet të përshpejtohen përgatitjet e takimit Putin-Trump, në mënyrë që të ulen tensionet.
“Uroj të mos arrihet deri në krizën kubaneze në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, por shqetësimi im është i madh”, ka thënë ish-Presidenti.
Gorbachev njihet si lideri i moderuar i bllokut lindor që sfidonte Perëndimin. Pak kohë pas nisjes së konflitit në lindje të Ukrainës, që pasoi me fushatën e sanksioneve anti-ruse, ishte ai që i bëri thirrje presidentit Putin që të tregonte maturi, pas deklaratave të tij se “Rusia ishte më e fortë se kurrë”.
“Presidenti Putin ka bërë një punë shumë të mirë në afirmimin e Rusisë në arenën ndërkombëtare, por duhet të bëjë kujdes. Edhe neve dikur na dukej vetja të fortë, mendonim se mund të kapnim Zotin prej flokësh, por gjithçka u shemb si të ishte një kështjellë prej letre”, tha asokohe Gorbachev.
Në atë periudhë, ai zhvilloi edhe një vizitë në Gjermani, ku vlerësoi zhvillimin e vendit dhe ngritjen e tij pas rrënimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Duhet të mësojmë nga historia, në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e së kaluarës”, tha ai gjatë vizitës./abcnews.al