Protestonin kunder ligjit për sigurinë, të miratuar nga Kina, 300 të arrestuar në Hong Kong

schedule20:39 - 1 Korrik, 2020

schedule 20:39 - 1 Korrik, 2020

Policia e Hong Kongut përdori ujë e gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit si dhe arrestoi më shumë se 300 persona të mërkurën ndërsa qyteti u përfshi nga protestat kundër ligjit mbi sigurinë të paraqitur nga Kina. Kritikët  thonë se ky ligj ka për qëllim zhdukjen e disidentëve dhe e fut një prej qendrave më njohura financiare në botë drejt një sistemi më autoritar.

Ndërsa mijëra protestues u mblodhën në qendër të qytetit për një tubim vjetor që shënon përvjetorin e dorëzimit tek Kina të ish-kolonisë britanike në 1997, policia i spërkati protestuesit me piper dhe i qëlloi me plumba plastikë. Turmat u derdhën në rrugë duke brohoritur “Pavarësi për Hong Kongun”.

Policia tha se kishte kryer më shumë se 300 arrestime për grumbullim të paligjshëm dhe vepra të tjera, nëntë prej të cilave dyshohet se janë në shkelje të ligjit të ri.

Ligji ndëshkon krimet e kryera nga ata që nxisin shkëputjen, përpjekjet për përmbysje të rendit, terrorizëm dhe komplot me forca të huaja deri në burgim të përjetshëm.  Parlamenti kinez e miratoi ligjin si përgjigje ndaj protestave të vitit të kaluar.

Autoritetet në Pekin dhe Hong Kong kanë thënë vazhdimisht se ligji ka synim disa “shkaktarë problemesh” sic i quajtën ata dhe se nuk do të cënojë të drejtat dhe liritë apo interesat e investitorëve.

Por kritikët frikësohen se ligji synon t’i japë fund opozitës pro-demokracisë si dhe të shtypë liritë që shihen si të rëndësishme për suksesin e Hong Kongut si qendër financiare. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj aziatikë e perëndimorë e kanë kritikuar ligjin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!