Zyrtarët amerikanë i kanë blerë të gjitha rezervat e ilaçit Remdesivir për muajin korrik dhe 90 për qind të rezervave për muajt gusht dhe shtator. Remdesiviri është një nga dy ilaçet që po përdoret për trajtimin e koronavirusit, shkruan The Guardian.
Fillimisht, ky ilaç ishte prodhuar për trajtimin e Ebolës. Kompania që e prodhon Remdesivir ka rënë dakort që t’i shpërndajë pothuajse të gjitha rezervat e tij në Shtetet e Bashkuara gjatë tre muajve të ardhshëm.
Dr. Andrew Hill, hulumtues në Universitetin e Liverpulit, tha se kjo nënkupton që pacientët në Europë nuk do të kenë qasje të ilaçit Remdesiviri deri në tetor.
“Kjo marrëveshje e bërë nga Amerika nënkupton që njerëzit me Covid-19 në Britani nuk mund të përdorin ilaçin që mund t’i shpëtojë ata nga virusi”, tha ai.
Ai shtoi se shtetet me të ardhura të mesme dhe të ulëta mund të prodhojnë versione të ngjashme të ilaçit por nuk do të mund t’i shesin ato në Europë, sepse vetëm kompania “Gilead” ka të drejtën e shitjes së këtij ilaçi.
Në bazë të testimeve te pacientëve me koronavirus, Remdesiviri ka dëshmuar se shkurton kohën e shërimit nga 15 në 11 ditë.
Mjekimi kundër Covid-19 me ilaçin Remdesivir të prodhuar nga Gilead do të kushtojë mesatarisht 3.120 dollarë për pacientët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çmimi i ilacit i vetmi i miratuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër koronavirusit, u konfirmua nga kompania farmaceutike që e prodhon. Deri tani ilaçi shpërndahej falas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por që nga 1 korriku do jetë me pagesë./abcnews.al