Një kullë 30 metra në pyllin e Divjakës dhe plazhi i ndotur

schedule13:50 - 9 Prill, 2018

schedule 13:50 - 9 Prill, 2018

Bashkia e Divjakës po investon në brendësi të pyllit të Divjakës, por pjesa e bregdetit është lënë jashtë vëmendjes. E gjithë pjesa e rërës është e ndotur tmerrësisht.

Kur brenda në pyll po ngrihet një kullë 30 metra e lartë, plazhi ka pamje të rëndë.  Mbetje të shumta kanë zënë vend në Bregdetin e Divjakës. Rëra është e ndotur në tërë sipërfaqen e saj.

Llazar Vodo, drejtor i Urbanistikes në Bashkinë Divjakë: “Kulla ka 3 funksione. Në radhë të parë është në shërbim të policisë kufitare, të pikës së zjarrfikëseve, të drejtorisë së parkut e zonave të mbrojtura dhe që do t’i shërbejë turizmit për pamjen që ofron, që deri më parë nuk ishte e mundur”.

Ndërtimi i një pasarele prej druri përmes Parkut Kombetar dhe thellimi i Strugës së Brukes, janë investime të tjera të bëra brenda pyllit të pishave. Por jashtë pyllit, një ndër plazhet më të mëdha të Adriatikut, por shkatërrohet. Kontrasti është i madh.

Peshkatarët dhe qentë janë vizitorët e vetëm të plazhit në këto ditë me diell të prillit. Leshterikët, plastika dhe trungje pemësh, kanë formuar pirgje të mëdha duke ndotur një hapësirë prej 11 km vijë bregdetare. Niveli i ndotjes është rritur për shkak të derdhjeve në det të lumenjve Shkumbin dhe Seman, por edhe të tërheqjes se ujërave detare deri në 2 km.

“Nga viti në vit grumbullohen pislliqë sa të duash dhe nuk ke ca i bën”.

Një muaj mbetet nga fillimi i sezonit të ri turistik në Divjakë. Gjurmët e sezoneve të mëparshme janë aty, të dukshme nga rrënojat e kioskave, të cilat janë kthyer në strehë për kafshët .Nëse do të niste pastrimi i plazhit, një muaj nuk do të mjaftonte as për të pastruar një km bregdet.

Gazetare e ABC News, Lushnje: Anila Sefa

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!