Ky sezon ka qenë shumë i mirë për Lautaro Martinez. Sulmuesi është rritur ndjeshëm nën drejtimin e Antonio Contes, ka shënuar 17 gola për Interin në kampionat+Champions League, dhe Barcelona po bën maksimumin për ta blerë.
Katalanasit e duan prej kohësh dhe e ardhmja e argjentinasit pritet të jetë në “Camp Nou”. Me kombëtaren ka luajtur 17 ndeshje deri tani dhe ka realizuar 9 gola. Statistika fantastike dhe lojtari është vetëm 22 vjeç.
Trajneri i Argjentinës është i lumtur me përmirësimin e Lautaros. Në një prononcim për Fenix 95.1, Lionel Scaloni thur elozhe për sulmuesin e Interit, teksa vlerëson shumë edhe Agueron e Manchester City.
“Ne jemi shumë të kënaqur me Lautaron. Ai është një lojtar i fuqishëm, punon shumë dhe është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme në Itali. Nëse Barcelona po e kërkon kaq shumë, një motiv do e ketë.
Jemi shumë të lumtur edhe me Kun Agueron. Ai vazhdon të shënojë gola dhe të thyejë rekorde, diçka që na gëzon shumë“, deklaron trajneri i Argjentinës. /abcnews.al