Greqia nuk do të hapë kufirin tokësor me Shqipërinë. Lajmin e ka dhënë Zv/ministri grek i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias gjatë një vizite në Janinë.
Hardalias tha se Greqisë i intereson hapja graduale dhe “rivitalizimi” i ekonomisë, por përkundër vizitorëve që do të hyjnë në Greqi duhet vëmendje dhe për mbrojtjen e popullatës greke.
Hardalias njoftoi po ashtu se edhe kur të hapet kufiri tokësor me Shqipërinë do të bëhen testime për Covid-19.
“Ne po punojmë fort që të ndjekim protokollet në pikat kufitare, që të kemi stafin e duhur, në mënyrë që të bëjmë kontrolle të sigurta. Në kuadrin e shëndetit publik, nuk ka asnjë disponim apo vullnet për ndonjë zbritje,” u shpreh Hardalias.
“Ne duam që ta hapim turizmin, ekonominë, por ky prioritet nuk mund të jetë sipër shëndetit publik. Ne duam që udhëtarët të jenë të sigurt dhe po aq të sigurt sa popullata greke që do t’i mirëpresë,” shtoi ai më tej.
Sipas tij, ka një recesion, por kjo nuk do të thotë nuk duhen ndjekur masat. /abcnews.al/